Apeli i mjekes kardiologe: Kujdesi ndaj të ftohtit, sidomos për të moshuarit

Në një intervistë për emisionin “Koha për t’u zgjuar”, mjekja kardiologe Eva Duraku ka dhënë këshilla të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të zemrës gjatë ditëve me temperatura të ulëta.

Ajo theksoi ndikimin negativ që i ftohti ka në sistemin kardiovaskular, duke veçuar rrezikun e shtuar për hipertension dhe komplikacione të tjera.

Sipas mjekes, i ftohti shkakton ngushtim të enëve të gjakut, duke ndikuar në rritjen e vlerave të tensionit të gjakut. “Që nga fundi i dhjetorit kemi parë shtim të rasteve me infarkt dhe kriza hipertensive. Vlerat e tensionit shpesh arrijnë nivele shumë të larta për shkak të temperaturave të ulëta,” deklaroi ajo.

Duraku apeloi që personat e moshuar të shmangin daljet në mëngjes herët dhe natën vonë, kur temperaturat janë më ekstreme. Ajo rekomandoi gjithashtu matjen e shpeshtë të tensionit të gjakut, sidomos për ata që vuajnë nga hipertensioni. “Nëse vlerat e tensionit janë mbi 16, pacientët duhet të konsultohen me mjekun kardiolog ose atë të familjes për të rregulluar terapinë mjekësore,” theksoi ajo.

Për rastet urgjente të krizave hipertensive, mjekja ka përmendur përdorimin e medikamentit “Kaptopril”. Ajo shpjegoi se ky medikament mund të merret duke e vendosur poshtë gjuhës, për një efekt më të shpejtë. Megjithatë, ajo paralajmëroi që ky trajtim duhet të përdoret vetëm nga pacientë që nuk kanë alergji ndaj këtij ilaçi.

“Temperaturat e ulëta janë një faktor rreziku për komplikacione serioze kardiovaskulare, ndaj këshillojmë të moshuarit të kufizojnë daljet në kushte ekstreme të motit dhe të jenë të kujdesshëm me shëndetin e tyre,” shtoi Duraku.

Kardiologia përfundoi duke apeluar për ndërgjegjësim dhe ndjekje të kujdesshme të udhëzimeve mjekësore, veçanërisht në muajt e dimrit, kur rreziqet për shëndetin e zemrës janë më të mëdha.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera