Apeli i Kishës Katolike për përballjen në Theth: dialog dhe paqe për zgjidhje të qëndrueshme

Pas përplasjes mes banorëve të Thethit dhe punonjësve të IKMT, Kisha Katolike në Shkodër kërkon qetësi, dialog dhe respekt për ligjin e jetën

Tensionet në zonën turistike të Thethit, ku banorët u përplasën me punonjës të IKMT-së gjatë një ndërhyrjeje për prishje ndërtimesh, kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të Kishës Katolike në Shkodër. Arqipeshkvia Metropolitane i bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të shmangin përshkallëzimin dhe të angazhohen për dialog të sinqertë.

Në një deklaratë publike, Kisha thekson rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit si një dhuratë e çmuar nga Zoti, por njëkohësisht thekson nevojën për të mbrojtur edhe ata qytetarë që jetojnë dhe punojnë me ndershmëri për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.

“Jemi në krah të të gjithë njerëzve vullnetmirë, të atyre që punojnë me ndershmëri, sakrificë dhe dinjitet, shpesh në heshtje dhe përballë vështirësive të shumta”, thuhet në reagimin e Kishës Katolike të Shkodrës.

Deklarata nënvizon se respekti për ligjin dhe drejtësinë duhet të jetë një parim themelor për të gjithë, si për institucionet ashtu edhe për qytetarët. Ajo i bën thirrje palëve të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë maturi për të mos rrezikuar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

“Si Kishë Katolike jemi dhe do të jemi gjithmonë në anën e paqes dhe të arsyes. I bëjmë thirrje të gjithëve të angazhohen për dialog dhe të respektojnë jetën”, shprehet më tej deklarata, e cila është bërë publike përmes një letre zyrtare nga Arqipeshkvia.

Kisha dënon çdo formë dhune, pavarësisht se nga cila palë vjen, duke theksuar se konfliktet nuk zgjidhen me përplasje, por me komunikim dhe mirëkuptim. Ajo shton se është në krah të atyre që përballen me vështirësi, por që zgjedhin rrugën e ligjit dhe të ndershmërisë.

Në fund të reagimit, Kisha Katolike lutet që situata në Theth të marrë një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë, duke ruajtur dinjitetin e komunitetit dhe duke mbrojtur trashëgiminë natyrore e njerëzore të kësaj zone të veçantë.

Ndaj Postimin: