Një operacion policor në qendër të Tiranës ka çuar në arrestimin e tre shtetaseve të huaja, të cilat dyshohet se ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira në bulevardin “Zogu i Parë”.
Sipas Policisë, apartamenti ishte përshtatur për këtë veprimtari, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet se gjashtë shtetas të tjerë kanë përfituar financiarisht nga ushtrimi i prostitucionit. Për këta persona ka nisur procedimi penal.
Të arrestuarat janë dy shtetase kineze dhe një shtetase tajlandeze. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë sekuestruan një shumë parash, e dyshuar si e përfituar nga kjo veprimtari, si dhe katër telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për organizimin e takimeve.
Operacioni “Rental House” u zhvillua në drejtimin e Prokurorisë, e cila po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për ndjekje të mëtejshme ligjore.