Ankesat për mungesën e ujit sjellin shkarkimin e drejtorit të UKT Tiranë

Pas muajsh me probleme të theksuara në furnizimin me ujë të pijshëm në kryeqytet, është marrë vendimi për shkarkimin nga detyra të drejtorit të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Skerdi Drenova.

Shkarkimi është ndërmarrë në një klimë pakënaqësie të gjerë qytetare, ku banorë të zonave të ndryshme të Tiranës kanë denoncuar vazhdimisht mungesën e ujit në banesa. Sipas tyre, situata është përkeqësuar me kalimin e kohës dhe nuk ka pasur përmirësim as gjatë stinës së dimrit.

Kjo gjendje ka shtuar reagimet, veçanërisht duke pasur parasysh se liqeni i Bovillës, që furnizon kryeqytetin me ujë, ka pasur nivel normal dhe nuk raportohej për probleme në kapacitetin e tij.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht, duke kritikuar menaxhimin e UKT-së dhe duke theksuar se kriza e ujit në Tiranë lidhet drejtpërdrejt me keqadministrimin dhe mungesën e përgjegjshmërisë nga drejtuesit e institucionit.

Aktualisht nuk ka një njoftim zyrtar për emrin që do të marrë drejtimin e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, ndërsa pritet që institucionet përgjegjëse të paraqesin masa konkrete për normalizimin e furnizimit me ujë dhe rikthimin e shërbimit të qëndrueshëm për qytetarët.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033