Sulmuesi shqiptar shënon përsëri në Angli, duke treguar formë të mirë, ndërsa Silvinjo ende nuk e përfshin në planet e Kombëtares
Anis Mehmeti po vazhdon të lërë gjurmë në futbollin anglez. Në përballjen e fundit të Bristol City ndaj Hull City, sulmuesi shqiptar realizoi një gol vendimtar në minutën e 32-të, duke e çuar ekipin e tij në avantazh 2-1.
Ky ishte goli i tij i dytë në vetëm katër javë të luajtura këtë sezon në Championship, një tregues i qartë se lojtari është në një formë të shkëlqyer dhe po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për skuadrën e tij.
Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve të tij pozitive, Mehmeti vazhdon të mos marrë ftesë nga trajneri i Kombëtares, Silvinjo. Ky fakt ka ngritur pikëpyetje mes tifozëve kuqezi, të cilët shohin në të një alternativë cilësore për repartin ofensiv.
Herën e fundit që sulmuesi 23-vjeçar veshi fanellën e Shqipërisë ishte në qershor të vitit 2023. Që prej asaj kohe, pavarësisht formës së mirë në klub, ai ka mbetur jashtë listës të grumbullimeve.
Performanca e tij në Angli, me gola të rëndësishëm dhe paraqitje të qëndrueshme, pritet të shtojë presionin mbi stafin teknik të Kombëtares për ta rikthyer në ekip.
Nëse Mehmeti vazhdon me këtë ritëm, injorimi i tij mund të bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u justifikuar, sidomos në prag të ndeshjeve të rëndësishme që Shqipëria ka përpara.