Aktorja Anila Bisha ka depozituar një padi në Gjykatën Administrative, duke kërkuar pezullimin e përdorimit të imazhit të saj në lidhje me figurën virtuale “Diella” dhe duke përfshirë në proces Këshillin e Ministrave, AKSHI-n dhe kompaninë private të kontraktuar.
Në kërkesën e saj, aktorja 57-vjeçare kërkon vendosjen e një mase sigurimi, me qëllim ndalimin e çdo përdorimi të mëtejshëm të imazhit dhe zërit të saj deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Sipas padisë, kontrata mes Anila Bishës dhe kompanisë Aleat kishte afat deri më 31 dhjetor 2025 dhe parashikonte përdorimin e imazhit vetëm për asistenten virtuale të platformës e-Albania, dhe jo për figurën publike të prezantuar më pas si “ministre Diella”.
Çështja ka marrë vëmendje publike pas prezantimit të “Diellës” nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste, si pjesë e një koncepti të ri politik dhe institucional, çka, sipas aktores, tejkalon marrëveshjen fillestare.
Gjykata pritet të shqyrtojë kërkesën për masë sigurimi në vijim, ndërsa procesi administrativ do të përcaktojë nëse përdorimi i figurës virtuale është bërë në përputhje me kontratën dhe legjislacionin në fuqi.