Angazhimi i nxënësve për mjedisin dhe komunitetin në shkollën Mehmet Xhaferi

Nga: Ndriçim Gjoshi

Projekti “Toka në Shkollë” përfshin nxënësit e arsimit parauniversitar në Xarrë, duke promovuar punën në grup, edukimin mjedisor dhe solidaritetin me familjet në nevojë.

Në shkollën 9-vjeçare “Mehmet Xhaferi” në Xarrë, u zhvillua projekti “Toka në Shkollë”, një nismë me ndikim të veçantë për komunitetin arsimor të zonës. Kjo iniciativë u mbështet nga Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Sarandë–Konispol–Delvinë dhe nga Bashkia Konispol.

Gjatë disa muajve, nxënësit u angazhuan në aktivitete praktike duke mësuar të mbjellin patate dhe të kujdesen për to në mënyrë të organizuar dhe me përgjegjësi të lartë. Përvoja e fituar gjatë projektit u shndërrua në një mësim të rëndësishëm jetësor për secilin pjesëmarrës.

Përtej aspektit bujqësor, projekti synoi të zhvillojë te nxënësit ndjenjën e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë ndaj natyrës, duke i mësuar ata që suksesi arrihet vetëm përmes punës së përbashkët dhe respektit për mjedisin.

Rezultati final i punës së nxënësve ishte më shumë se një arritje personale. Tërë prodhimi u dhurua për familjet në nevojë të komunitetit, duke u kthyer në një shembull të vërtetë solidariteti dhe humanizmi që buron nga brezi i ri.

Ky gjest i nxënësve dhe i mësuesve u prit me krenari dhe entuziazëm nga komuniteti lokal, duke nxjerrë në pah rëndësinë që ka edukimi jashtë klasës për formimin e qytetarëve të përgjegjshëm.

Projekti “Toka në Shkollë” vërtetoi se kur fëmijët angazhohen me përkushtim dhe udhëhiqen nga mësues të devotshëm, ata mund të sjellin ndryshim real në komunitet dhe të përçojnë mesazhe të fuqishme për të ardhmen.

Ndaj Postimin: