Andrea Pignataro është aktualisht personi më i pasur në Itali, sipas renditjes në kohë reale të Forbes, me një pasuri që ka arritur në 42.8 miliardë dollarë. Për herë të parë pas më shumë se katër vitesh, ai ka lënë pas Giovanni Ferrero, trashëgimtarin e perandorisë Ferrero.
I lindur në Bolonjë në vitin 1970 dhe rezident në St. Moritz, Pignataro është themeluesi i Ion Group, një nga kompanitë më të mëdha globale në fushën e softuerëve financiarë. Ai është diplomuar për ekonomi në Universitetin e Bolonjës dhe ka doktoruar në matematikë në Imperial College London.
Karrierën e nisi si broker në Salomon Brothers, ndërsa në vitin 1999 themeloi Ion, kompani e fokusuar në fintech dhe automatizimin e proceseve financiare. Sot, platformat e saj përdoren nga banka qendrore, institucione financiare dhe korporata ndërkombëtare.
Ion Group ka zgjeruar aktivitetin përmes blerjes së dhjetëra kompanive, përfshirë Dealogic dhe Fidessa, duke ndërtuar një strukturë globale që operon kryesisht larg vëmendjes publike. Për këtë arsye, Pignataro është krahasuar me Michael Bloomberg dhe quhet shpesh “Bloomberg-u italian”.
Edhe pse jeton jashtë Italisë, ai ka investuar miliarda euro në tregun italian, duke blerë kompani si Cerved, Cedacri dhe Prelios. Emri i tij u përfshi në një hetim fiskal në Itali, i cili u mbyll në vitin 2025 pas një marrëveshjeje me autoritetet tatimore dhe arkivimit të çështjes nga gjykata.
Diskret dhe i apasionuar pas lundrimit me vela, Pignataro përfaqëson modelin e sipërmarrësit të teknologjisë financiare që ka ndërtuar pasurinë përmes algoritmeve dhe inovacionit.