Një amnisti penale pritet të zbatohet në fund të këtij viti, duke sjellë lehtësim të menjëhershëm për sistemin penitenciar dhe familjet e qindra të dënuarve. Sipas nismës së qeverisë, 380 persona do të lirohen menjëherë nga burgjet, ndërsa rreth 900 të tjerëve do t’u ulet dënimi.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, deklaroi se kjo amnisti është ndërtuar mbi parimin e një politike penale më humane dhe më proporcionale, në përputhje me standardet evropiane. Ai theksoi se masa nuk synon tolerimin e shkeljeve të rënda të ligjit, por ofrimin e një shansi të dytë për persona pa rrezikshmëri të lartë shoqërore.
“Nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë i dhënë me përgjegjësi për ata që mund dhe duhet të rikthehen në shoqëri,” u shpreh Lamallari, duke nënvizuar se drejtësia moderne nuk matet me numrin e të burgosurve, por me parandalimin dhe rehabilitimin.
Sipas ministrit, një nga arsyet kryesore të kësaj nisme është përdorimi i lartë i masës së paraburgimit dhe mbipopullimi në burgje, një shqetësim i ngritur në mënyrë të përsëritur edhe nga institucionet evropiane. Aktualisht, në sistemin penitenciar ndodhen rreth 5 mijë persona, ku një pjesë e konsiderueshme janë ende pa vendim përfundimtar gjykate.
Amnistia parashikon përfitime konkrete dhe të menjëhershme, përfshirë uljen e popullimit në burgje me gati 7 për qind, përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe rehabilitimit, si dhe respekt më të madh për dinjitetin njerëzor. Në kategoritë përfituese përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët.
Ministri i Drejtësisë theksoi se nga kjo amnisti përjashtohen në mënyrë të qartë personat e dënuar për krime të rënda, korrupsion dhe vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore, si dhe subjektet e hetuara nga SPAK dhe të gjykuara nga Gjykata e Posaçme. Sipas tij, kriteret janë ligjore, transparente dhe të njëjta për të gjithë.
Në përfundim, Lamallari theksoi se kjo nismë synon të shmangë një krizë sistemike në burgje dhe të ndërtojë një qasje më të drejtë dhe më humane të drejtësisë penale në Shqipëri.