Në një takim përmbyllës me përfaqësues të medias së shkruar dhe audiovizive, Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), znj. Mimoza Kaçi, prezantoi arritjet e vitit 2024 dhe objektivat kryesore për vitin e ardhshëm.
Në fjalën e saj, ajo falënderoi gazetarët për kontributin e tyre në pasqyrimin profesional të aktiviteteve të AMF-së dhe zhvillimeve në tregjet nën mbikëqyrje, duke theksuar rëndësinë e informimit dhe transparencës publike.
Sipas znj. Kaçi, viti 2024 ka qenë një vit pozitiv për sektorin financiar dhe ekonominë në tërësi. Aktiviteti i AMF-së ka qenë intensiv, me fokus të veçantë në përafrimin e kuadrit ligjor me acquis të Bashkimit Evropian. Gjatë këtij viti, institucioni finalizoi kuadrin nënligjor për fondet e pensionit privat dhe hartoi ndryshimet në ligjin për sigurimet dhe risigurimet, të cilat janë në proces miratimi.
Një ndër arritjet kryesore të AMF-së ka qenë miratimi i Rregullores së Faktorëve të Riskut, që do të hyjë në fuqi në janar 2025. Kjo rregullore do të zbatojë një sistem të primesh të diferencuara bazuar në risqet individuale të siguruarve, një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të tregut të sigurimeve.
Drejtoresha theksoi se të gjitha tregjet nën mbikëqyrje kanë njohur rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të treguesve financiarë gjatë këtij viti. Tregu i sigurimeve, fondet e pensioneve private vullnetare, tregu i kapitalit dhe fondet e investimeve kanë parë një forcim të mbikëqyrjes dhe rritje të standardeve të transparencës.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i punës së AMF-së ka qenë bashkëpunimi i ngushtë me median, e cila ka luajtur një rol kyç në informimin e publikut. “Çdo lajm, analizë apo kronikë televizive ka kontribuar në ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe në rritjen e transparencës për sistemin financiar,” tha znj. Kaçi.
Në kuadër të objektivave për vitin 2025, znj. Kaçi prezantoi një vizion të qartë për digjitalizimin e shërbimeve dhe avancimin e reformave rregullatore. Prioritetet përfshijnë thellimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe investitorit, përmirësimin e shërbimeve përmes teknologjisë dhe nxitjen e zhvillimit të tregjeve financiare.
Digjitalizimi do të jetë një nga shtyllat kryesore të reformave të AMF-së, me synimin për të lehtësuar aksesin në shërbime dhe për të rritur efikasitetin e mbikëqyrjes financiare. Për më tepër, institucionit do t’i kushtohet rëndësi forcimit të rregullimit dhe adaptimit të standardeve evropiane për të garantuar një treg financiar të sigurt dhe konkurrues.
Me përfundimin e një viti intensiv, AMF po përgatitet për një vit të ri plot sfida dhe mundësi, duke synuar të ndërtojë një treg financiar më të fortë dhe më të qëndrueshëm. “Viti 2024 ishte një vit suksesi, por e ardhmja kërkon angazhim të mëtejshëm për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve dhe investitorëve,” përfundoi znj. Kaçi.