Ambasadori Italian mbyll misionin 5-vjeçar në Shqipëri, nderohet nga Veliaj me “Çelësin e Qytetit”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i dorëzoi “Çelësin e Qytetit” ambasadorit italian Fabrizio Bucci, me rastin e përfundimit të misionit të tij pesëvjeçar në Shqipëri.

Veliaj e falënderoi ambasadorin për përkushtimin e treguar gjatë mandatit të tij, duke e vlerësuar jo vetëm si një diplomat të shkëlqyer, por edhe si një mik të vërtetë të Tiranës.

Në fjalën e tij, Veliaj i uroi ambasadorit suksese në detyrën e tij të re në Gjermani, duke theksuar:
“Sot i themi mirupafshim një shoku dhe një vëllai, ambasadorit italian në Shqipëri. Jam shumë mirënjohës dhe të falënderoj për integritetin, dinjitetin dhe energjinë pozitive që ke sjellë. Përtej burokracisë, ke qenë një mik i vërtetë i Tiranës.

Ju konsideroj një misionar që ka kontribuar pafundësisht për të afruar Shqipërinë dhe Italinë më shumë se kurrë. Italia dhe Shqipëria kanë pasur gjithmonë një dashuri reciproke, por njerëzit janë si ura, që lidhin vendet. Dua që ky çelës të jetë një simbol i një zemre të hapur, një dere të hapur dhe një dashurie të madhe për kontributin që keni dhënë në këtë raport special mes dy vendeve.”

Nga ana e tij, ambasadori Fabrizio Bucci vlerësoi marrëdhëniet e veçanta që kanë karakterizuar historikisht Shqipërinë dhe Italinë. Ai shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe miqësinë e veçantë që gjeti tek shqiptarët, duke thënë:
“Mes dy vendeve tona ka pasur gjithmonë një lidhje shumë të veçantë, por duhet të them se ky pesëvjeçar ka shënuar një rritje të mëtejshme të këtyre marrëdhënieve. Italia dhe Shqipëria, në shumë aspekte, tashmë janë si një vend i vetëm. Në maj, ‘Giro d’Italia’, një nga ngjarjet sportive më të ndjekura në botë, do të nisë në Shqipëri, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e ngushtë mes nesh.

Një përshëndetje dhe një përqafim të ngrohtë për të gjithë shqiptarët, me të cilët kam ndarë një miqësi të mrekullueshme. Ky vend i bukur dhe i veçantë, ku ecën në rrugë, ndalon në një lokal dhe njerëzit të përshëndesin me përzemërsi, është një thesar i veçantë. Të gjithë shqiptarët më kanë ofruar një mikpritje të jashtëzakonshme, të cilën jam përpjekur t’ua shpërblej. Në Shqipëri kam mësuar se përzemërsia dhe dashuria janë çelësi që hap çdo derë. Shqipëria tashmë është edhe shtëpia ime, dhe një ditë do të kthehem.”

Ndaj Postimin:

Postime të tjera