Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Bergner, zhvilloi sot një takim me Kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, si dhe me disa anëtarë të këtij institucioni. Gjatë bisedës, ai theksoi rolin kyç që KLP luan në ruajtjen e pavarësisë, integritetit dhe efikasitetit të sistemit të prokurorisë në vend.
Bergner shprehu vlerësimin e tij për punën e përkushtuar të KLP-së dhe i inkurajoi anëtarët të vijojnë të përmbushin detyrat me përgjegjësi dhe vetëdije institucionale.
Në qendër të diskutimit ishte procesi i zgjedhjes së kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme SPAK, pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit më 18 dhjetor. Ambasadori gjerman nënvizoi se zgjedhja e pasuesit duhet të zhvillohet në mënyrë tërësisht transparente, duke u bazuar vetëm në përgatitjen profesionale dhe integritetin e kandidatëve.
“Nën drejtimin e Altin Dumanit, SPAK ka arritur suksese jashtëzakonisht të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është e rëndësishme që ky kurs të vazhdojë,” tha Bergner, duke shtuar se çdo anëtar i KLP-së duhet të udhëhiqet vetëm nga standardet më të larta të profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës gjatë procesit të votimit.
Ai theksoi se partnerët ndërkombëtarë besojnë në një proces korrekt dhe të hapur, që garanton forcimin e mëtejshëm të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.


