Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin përpjekjet për sigurimin e dokumenteve të emigracionit përmes martesave, duke theksuar se kjo praktikë përbën shkelje të rëndë ligjore.
Në mesazhin e saj zyrtar, Ambasada nënvizon se mashtrimi përmes martesës konsiderohet krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe ndëshkohet me pasoja serioze ligjore. “Mashtrimi për martesë është një krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe mund të çojë në dënime serioze”, thuhet në njoftim.
Autoritetet amerikane theksojnë se çdo përpjekje për të përfituar dokumente emigracioni në mënyrë të paligjshme mund të sjellë pasoja afatgjata, përfshirë ndalimin e hyrjes në SHBA dhe ndjekjen penale.
Në përfundim, Ambasada u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin vetëm procedurat e rregullta ligjore për emigrim. “Gjithmonë zgjidhni një proces të ligjshëm emigracioni për të hyrë në vend dhe për të siguruar dokumentacionin e duhur”, përfundon mesazhi.


