Aleatët perëndimorë në një front të bashkuar: Trump merr mbështetje kundër programit bërthamor iranian

SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë paralajmërojnë Teheranin: Ambiciet për armë bërthamore nuk do të tolerohen në asnjë rrethanë

Në një klimë gjithnjë e më të tensionuar në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara, të udhëhequra nga Presidenti Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance, kanë siguruar mbështetjen e plotë të aleatëve perëndimorë për të frenuar çdo përpjekje të Iranit drejt armatimit bërthamor. Mesazhi është i qartë: Perëndimi nuk do të lejojë që Teherani të posedojë armë të tilla shkatërrimtare.

Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se është në kontakt të vazhdueshëm me liderë ndërkombëtarë për të parandaluar përshkallëzimin e krizës, duke theksuar se Irani duhet të rikthehet në rrugën e paqes dhe të respektojë rendin global. Edhe ministri i Jashtëm i Francës, Jean Barrot, e quajti Iranin një partner të pabesueshëm kur bëhet fjalë për armët bërthamore dhe shprehu mbështetje të plotë për qëndrimin amerikan.

Gjermania, përmes zëdhënësit të saj Stefan Kornelius, ka rikonfirmuar se Berlini qëndron krah për krah me Uashingtonin dhe vendet e Bashkimit Evropian për të ndjekur një zgjidhje diplomatike të qëndrueshme. Qeveria gjermane theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në ruajtjen e sigurisë ndërkombëtare.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka apeluar për një front të përbashkët europian kundër kërcënimit iranian. Ajo paralajmëroi se mungesa e dialogut nga ana e Teheranit përbën rrezik serioz për stabilitetin global dhe nënvizoi domosdoshmërinë për veprim të koordinuar.

Edhe Kanadaja është pozicionuar qartë përkrah Shteteve të Bashkuara. Kryeministri Mark Carney i bëri thirrje Iranit që të ndalojë menjëherë çdo provokim dhe të zgjedhë rrugën e paqes. Ai deklaroi se mbështet pa rezervë presidentin amerikan dhe qëndrimin e tij në lidhje me sigurinë bërthamore.

Në të njëjtën linjë është edhe Japonia. Kryeministri Shigeru Ishiba kërkoi ulje të menjëhershme të tensioneve, por paralajmëroi se zhvillimi i armëve bërthamore nga Irani është një vijë e kuqe që nuk mund të kalojë pa pasoja. Ai theksoi nevojën për koordinim global në emër të sigurisë ndërkombëtare.

Në këtë moment kyç diplomatik, shumica e aleatëve të mëdhenj perëndimorë janë unifikuar pas Uashingtonit. Mesazhi i përbashkët që përcillet nga të gjitha kryeqytetet perëndimore është i prerë: Irani nuk do të lejohet të zotërojë armë bërthamore, pavarësisht kostos apo përpjekjeve që kërkon frenimi i këtij rreziku.

Ndaj Postimin: