Një takim i veçantë artistik dhe letrar ka bërë bashkë në Lushnjë artistë poetë, shkrimtarë, përfaqësues të institucioneve, nxënës gjimnazistë dhe dashamirës të letërsisë. Poetja dhe shkrimtarja Alba Boriçi ka zgjedhur qytetin e saj të lindjes për të promovuar librin e saj të dytë, por novelën e parë, me titull “Të jesh apo të mos jesh”.
E lindur në Lushnjë dhe aktualisht me banim në Berat, autorja rikthehet në vendlindje për të ndarë me lexuesit një tjetër hap të rëndësishëm të rrugëtimit të saj krijues. Një titull që ngjall reflektim dhe kureshtje, ndërsa përmes kësaj novele ajo sjell botën e saj artistike, mendimin filozofik dhe emocionet që e kanë shoqëruar gjatë procesit të krijimit.
Aktiviteti u çel nga një gjimnazist, i cili mirëpriti të pranishmit
Më pas, fjalën e morën poeti dhe shkrimtari Xhemal Nezha, si dhe shkrimtari e përkthyesi Gezim Baruti, të cilët vlerësuan krijimtarinë e autores, veçantinë e saj artistike dhe mesazhet që përcjell botimi i ri.
.
Në vijim, përshëndetën aktivitetin kryebashkiakja Eriselda Sefa dhe Emine Boriçi, duke përcjellë vlerësime dhe mesazhe për autoren, e cila zgjodhi pikërisht Lushnjën për këtë promovim të veçantë.
Promovimi vijoi me një bashkëbisedim të hapur, ku gjimnazistët dhe të pranishmit ndanë pyetje dhe përshtypje mbi novelën. Vlerësime për librin përcollën edhe mësuesja Genta Mehilli dhe Jusuf Saliu, i cili është kujdesur për faqosjen dhe kopertinën e tij.
Në përmbyllje, vetë autorja Alba Boriçi ndau emocionet e këtij takimi, mesazhin e librit dhe planet për vijimësinë e krijimtarisë së saj, duke lënë të kuptohet se rrugëtimi i kësaj novele do të ketë një vazhdimësi.
Një promovim që e ktheu fjalën e shkruar në një urë komunikimi mes brezave, duke dëshmuar se letërsia mbetet një hapësirë e gjallë takimi, reflektimi dhe frymëzimi.