Alarm sigurie në Mar-a-Lago, 20-vjeçari qëllohet për vdekje pas hyrjes me armë në perimetër

Një incident i rëndë sigurie u regjistrua në orët e para të mëngjesit në rezidencën Mar-a-Lago të presidentit Donald Trump në Palm Beach, ku një 20-vjeçar u qëllua për vdekje pasi hyri në perimetrin e mbrojtur të kompleksit me një armë gjahu dhe një bidon me benzinë.

Sipas deklaratës zyrtare të Shërbimit Sekret të SHBA-së, ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 me orën lokale. Agjentët e Shërbimit Sekret dhe një zëvendës-sherif nga Zyra e Sherifit të Qarkut Palm Beach u përballën me të riun pranë portës veriore të kompleksit, ku ai u pa me atë që dukej si një pushkë dhe një bidon me lëndë djegëse.

Gjatë përballjes, autoritetet i kërkuan atij të lëshonte sendet që mbante në duar. Sipas sherifit të Qarkut Palm Beach, Rick Bradshaw, i riu refuzoi urdhrin. Ai hodhi bidonin e benzinës, por më pas ngriti armën në pozicion qitjeje. Në atë moment, zëvendësi dhe dy agjentët e Shërbimit Sekret qëlluan me armë zjarri për të neutralizuar kërcënimin. 20-vjeçari humbi jetën në vendngjarje.

“Në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm, forcat e sigurisë zbuluan se një individ kishte hyrë në perimetrin e brendshëm të Mar-a-Lagos. Një zëvendës dhe dy agjentë të Shërbimit Sekret në detaj shkuan në atë zonë për të hetuar. Ata u përballën me një mashkull të bardhë që mbante një bidon gazi dhe një pushkë. Ai u urdhërua t’i hidhte ato dy pajisje që kishte me vete. Ai uli bombolën e gazit dhe e ngriti pushkën në pozicion qitjeje. Në atë moment, zëvendësi dhe dy agjentët e Shërbimit Sekret qëlluan me armë dhe neutralizuan kërcënimin. Ai vdiq në vendngjarje,” deklaroi Bradshaw.

Sipas autoriteteve, personat e përfshirë në të shtënat mbanin kamera trupore, çka pritet të ndihmojë në zbardhjen e plotë të rrethanave. Shërbimi Sekret nuk ka bërë publik identitetin e të riut.

Burime zyrtare konfirmuan se në momentin e incidentit asnjë person nën mbrojtjen e agjencisë nuk ndodhej në rezidencë. Sipas axhendës publike, presidenti Donald Trump po qëndron këtë fundjavë në Shtëpinë e Bardhë.

Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe Shërbimi Sekret pritet të mbajnë një konferencë për shtyp për të dhënë detaje të tjera mbi zhvillimet. Zëdhënësi i FBI-së, Brett Skiles, deklaroi se zona ku ndodhi incidenti ishte nën juridiksionin e Shërbimit Sekret dhe se FBI-ja po mbledh prova. Ai u bëri thirrje banorëve të zonës që të kontrollojnë kamerat e sigurisë dhe të raportojnë çdo lëvizje të dyshimtë pranë Zyrës së Sherifit të West Palm Beach.

Sipas hetuesve, i dyshuari ishte nga Karolina e Veriut dhe ishte raportuar i zhdukur disa ditë më parë nga familja. Dyshohet se ai u nis drejt jugut të SHBA-së dhe gjatë rrugës siguroi një pushkë. Kutia e armës u gjet në automjetin e tij.

Autoritetet bëjnë të ditur se ai arriti të kalojë me makinë nëpër portën veriore të Mar-a-Lago ndërsa një automjet tjetër po dilte, përpara se të përballej me agjentët e sigurisë.

Hetuesit po punojnë për të ndërtuar një profil psikologjik dhe për të përcaktuar motivin e mundshëm të veprimit.

Ngjarja rikthen në vëmendje incidentet e mëparshme që kanë përfshirë Trumpin. Në korrik 2024, ai u plagos gjatë një atentati teksa fliste në një tubim në Butler të Pensilvanisë gjatë fushatës zgjedhore presidenciale. Një plumb i preku veshin dhe disa spektatorë humbën jetën.

Më 15 shtator të po atij viti, një burrë me pushkë u kap pranë fushës së golfit të Trump në West Palm Beach, ndërsa presidenti po luante një raund. Ai u arrestua dhe më pas u dënua me burgim të përjetshëm në fillim të këtij muaji.

Autoritetet amerikane vijojnë hetimet për incidentin e fundit, ndërsa masat e sigurisë rreth rezidencave presidenciale mbeten në nivel të lartë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033