Rritje e frikshme e infeksioneve respiratore në vend: më shumë se 11 mijë njerëz kanë kërkuar ndihmë mjekësore brenda vetëm shtatë ditësh. Shqipëria po afrohet me pragun epidemik, teksa urgjencat janë mbingarkuar nga pacientët.
Sipas ISHP, 8027 raste janë infeksione të rrugëve të sipërme, ndërsa 3547 prekën rrugët e poshtme. Simptomat janë të forta: temperaturë deri në 40 gradë, ethe, kollë dhe raste të shumta me pneumoni. Edhe pse tabloja ngjan me gripin sezonal, deri tani nuk është konfirmuar asnjë rast gripi në laboratorët e ISHP.
Në terren po qarkullojnë paralelisht: viroza të stinës, diarre akute dhe COVID-19, i cili këtë javë ka shkaktuar mbi 1500 paraqitje në urgjenca. Mjekët thonë se mbivendosja e simptomave po e bën diagnozën tepër të vështirë.
Situata është veçanërisht e rënduar te urgjencat pediatrike dhe infektive në QSUT, ku çdo ditë paraqiten mbi 240 pacientë, shumica fëmijë 0–7 vjeç.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat e ulëta në mëngjes dhe mbrëmje po nxisin përhapjen e infeksioneve dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar në këtë periudhë.


