Një skemë mashtrimi që po qarkullon prej ditësh në WhatsApp ka nisur të prekë edhe përdorues në Shqipëri. Mesazhi shfaqet si një kërkesë e padëmshme për të votuar një fëmijë në një konkurs vallëzimi, me pretekstin se fituesi do të përfitojë një vit mësime falas.
Mesazhi zakonisht vjen nga një kontakt i njohur, çka e bën edhe më të besueshëm. Përdoruesi ftohet të klikojë një link për të votuar, por në realitet, klikimi i këtij linku i hap rrugë aksesit të paautorizuar në llogarinë e WhatsApp-it.
Ekspertët e sigurisë digjitale e cilësojnë këtë skemë si një formë të “smishing”-ut, që synon vjedhjen e të dhënave dhe marrjen nën kontroll të llogarive. Sapo një profil komprometohet, prej tij u dërgohen mesazhe të ngjashme edhe kontakteve të tjera të lidhura, duke e përhapur mashtrimin me shpejtësi.
Kjo skemë, e njohur si “mashtrimi i balerinës”, përdor histori emocionale dhe të besueshme për të ulur vigjilencën e përdoruesve. Në disa raste, pas infektimit, llogaria nis të dërgojë edhe linke të tjera dashakeqe, të maskuara si lojëra online, të cilat rrezikojnë të japin akses edhe në aplikacione financiare.
Raste të ngjashme janë raportuar edhe jashtë Shqipërisë, ku mashtrimi ka prekur dhjetëra persona, përfshirë edhe figura publike.
Ekspertët këshillojnë qytetarët të mos hapin linke të dyshimta, edhe kur ato vijnë nga kontakte të njohura, të verifikojnë gjithmonë përmbajtjen dhe të aktivizojnë masat shtesë të sigurisë, si verifikimi me dy hapa. Në raste infektimi, rekomandohet ndërprerja e menjëhershme e përdorimit të llogarisë dhe konsultimi me specialistë të fushës.