Rezistenca e bakterieve ndaj antibiotikëve po konsiderohet një nga kërcënimet më serioze për shëndetin global. Aktualisht, 1 në 6 infeksione nuk mund të trajtohet me asnjë lloj antibiotiku, për shkak të rezistencës së zhvilluar nga mikroorganizmat.
Sipas mikrobiologut Andi Koraqi, problemi nuk lidhet me një numër të kufizuar barnash, por prek gati 90% të antibiotikëve, të cilët po humbin efektivitetin përballë baktereve.
Ekspertët e shëndetit parashikojnë se deri në vitin 2050, numri i vdekjeve nga infeksionet dhe antibiotiko-rezistenca mund të tejkalojë atë të sëmundjeve kardiake dhe onkologjike. Sipas Koraqit, projekcionet tregojnë se dy të tretat e vdekjeve mund të lidhen me këtë fenomen.
Ai shpjegon se mikroorganizmat fitojnë rezistencë shumë më shpejt sesa prodhohen antibiotikët e rinj. Një antibiotik i ri mund të bëhet joefektiv brenda pesë viteve, ndërsa zhvillimi dhe vënia në përdorim e një medikamenti të ri kërkon rreth 30 vjet.
Antibiotiko-rezistenca nuk kufizohet vetëm në sistemin shëndetësor. Ajo është e pranishme edhe në zinxhirin ushqimor, në mjedis, në bujqësi dhe në blegtori, ku përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve kontribuon në përhapjen e këtij fenomeni.