Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar nga Policia e Kukësit, pas lokalizimit dhe kapjes së tij në fshatin Mamëz. I ndaluari akuzohet për dhunë në familje, ngacmim seksual dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve.
Shtetasi me inicialet Q. D. ishte shpallur në kërkim pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e cila la në fuqi dënimin e dhënë më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë Kukës. Ai është dënuar me 5 vite e 8 muaj burgim, nga të cilat i kanë mbetur për vuajtje edhe 3 vite, 6 muaj e 3 ditë.
Ngjarja lidhet me një kallëzim të bërë në prill të vitit 2024 nga bashkëshortja e tij, e cila e denoncoi për dhunë në familje. Sipas hetimeve, 40-vjeçari dyshohet gjithashtu se ka ngacmuar seksualisht dy vajzat e tij të mitura.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, autoritetet sekuestruan 14 kapsolla detonatore, dy fitilë zjarrpërcjellës, një granatë ofensive dhe pesë krëhera automatiku, të mbajtura pa leje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa i arrestuari pritet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit sipas vendimit gjyqësor.


