Delegacioni i BE-së në Tiranë paralajmëron për rrezikun që ndërhyrjet politike sjellin mbi gjyqësorin, duke e cilësuar pavarësinë e tij kusht themelor për integrimin e vendit.
Zyra e Bashkimit Evropian në Shqipëri reagoi pas akuzave të kryeministrit Edi Rama ndaj magjistratëve, duke theksuar se mbështetja për një drejtësi të pavarur mbetet në qendër të misionit të saj. Delegacioni theksoi se kjo është një nga shtyllat kryesore për ecurinë e vendit drejt negociatave të anëtarësimit në BE.
Në reagimin e bërë publik, BE nënvizoi se po ndjek me kujdes zhvillimet në sistemin e drejtësisë, përfshirë përpjekjet për ndërhyrje politike të papërshtatshme. Deklarata erdhi pas kritikave të Ramës ndaj gjyqtarit Marko Boshko për një vendim gjyqësor, çështje që ndezi polemika të forta.
Raporti i vitit 2025 mbi Sundimin e Ligjit për Shqipërinë vë në dukje se, ndonëse qëndrueshmëria e gjyqësorit është rritur, presioni dhe ndërhyrjet nga zyrtarët publikë e politikanët janë intensifikuar. Si shembull, dokumenti përmend reagimet pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që u shoqëruan me përpjekje për të ushtruar presion mbi SPAK-un dhe gjykatat.
Kryeministri Rama ka ashpërsuar retorikën e tij kundër magjistratëve gjatë dy muajve të fundit, duke përmendur emra konkretë si Ligoraq Toshi, Klarent Demiri, Hazbi Balliu dhe Marko Boshko. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve e cilësoi këtë sjellje në kufijtë e një veprimi penal dhe një tentativë për uzurpimin e pushtetit gjyqësor.
Një rast tjetër i përplasjes u shënua në korrik, kur Rama kritikoi prokuroren Elsa Gjeli për mosnisjen e një çështjeje mbi ndërtimet pa leje në Theth. Prokuroria e Shkodrës reagoi menjëherë, duke sqaruar se çështja ishte regjistruar si kundërvajtje nga institucionet e varësisë së qeverisë dhe jo si vepër penale.
Prokurorja Gjeli depozitoi një ankesë kundër kryeministrit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërsa qeveria iu kundërpërgjigj përmes një ankese të ish-ministrit Ulsi Manja pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ky i fundit e arkivoi rastin, duke mos gjetur elementë për procedim disiplinor.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, paralajmëroi së fundmi se sistemi gjyqësor ndodhet prej kohësh nën presion për të marrë vendime sipas interesave të caktuara, një situatë që e cilësoi shkelje të hapur të kushtetutës.