Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë masa urgjente për tërheqjen nga tregu të një produkti qumështi formulë për foshnja, pas sinjalizimit për rrezik të mundshëm për shëndetin.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për produktin NAN 1 OPTIPRO, për të cilin është identifikuar prania e një bakteri potencialisht të dëmshëm. Sinjali është marrë përmes sistemit europian të alarmit për sigurinë ushqimore, duke vënë në lëvizje strukturat përgjegjëse në vend.
Pas verifikimeve të kryera, AKU ka bllokuar të gjithë sasinë e produktit që ndodhej në qarkullim në Shqipëri. Qumështi formulë është tërhequr nga pikat e shitjes dhe është vendosur që të asgjësohet ose të kthehet në vendin e origjinës, në përputhje me procedurat ligjore.
Autoriteti u bën thirrje prindërve që kanë blerë këtë produkt të mos e përdorin dhe ta dorëzojnë në dyqanin ku e kanë siguruar, si masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të foshnjave.
Sipas AKU-së, veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe synojnë garantimin e sigurisë ushqimore, duke shmangur çdo rrezik për konsumatorët më të vegjël.