Pesë ngarkesa me misër blegtoral të importuar janë bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), pasi analizat zbuluan nivel mbi normë të aflatoksinës B1.
Ngarkesat u identifikuan nga drejtoritë rajonale në Shkodër dhe Vlorë, ndërsa sipas të dhënave, katër prej tyre vinin nga Serbia dhe një nga Greqia.
AKU bën të ditur se produktet e bllokuara nuk do të hidhen në treg dhe pritet të asgjësohen ose të kthehen në vendin e origjinës.
Institucioni ka njoftuar gjithashtu rrjetet ndërkombëtare të sigurisë ushqimore, përfshirë INFOSAN dhe RASSF, për të informuar autoritetet përkatëse në vendet e origjinës së ngarkesave.
Rasti lidhet me kontrollet për sigurinë ushqimore dhe verifikimin e produkteve të importuara përpara se të futen në treg.