Juristja dhe aktivistja Mirela Jorgo ka publikuar një foto nga varrezat e Sharrës, ku prehet ish-kryeministri dhe ish-lideri i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i ndarë nga jeta disa javë më parë. Ajo ndalet në vëmendjen që i ka tërhequr thjeshtësia e “banesës së fundit” të tij.
“Si vizitore e përjavshme në varrezat e Sharrës, teksa kaloj ngadalë me makinë mes qytetit të vdekjes, sytë m’u ndalën te varri i Fatos Nanos. Bie në sy sepse ndodhet në hyrje të varrezave dhe nuk është një lapidar i rëndë me mermer, siç sheh rëndom këtu”, shkruan ajo.
Mirela tregon se zbriti për një çast nga makina dhe u ndal pranë varrit. Sipas saj, momenti të përball me një ndjesi të ftohtë, por njëkohësisht të shtyn të reflektosh mbi jetën dhe përkohshmërinë e saj.
“Para vdekjes ndihesh po aq i ftohtë sa ajo, por edhe reflekton përse jeton. Të zbutet zemra dhe kupton se në këtë jetë je thjesht një kalimtar dhe se do të mbahesh mend për mirë apo për keq”, shprehet ajo.
Juristja thekson se në atë “qytezë” të heshtur, të gjithë janë të barabartë dhe askush nuk pyetet për pasuri, vila apo pushtet. Ajo shton se vetëm pak metra më tej prehet edhe bashkëshorti i saj, të cilin e viziton shpesh dhe për varrin e të cilit kujdeset me përkushtim.
Në reflektimin e saj, Mirela Jorgo përcjell edhe një mesazh për politikën shqiptare, duke nënvizuar se, pavarësisht pushtetit apo privilegjeve, fundi është i njëjtë për të gjithë.
“Me pushtet apo pa pushtet, në këtë qytezë je njësoj i barabartë me të gjithë. Nuk pyetesh nëse ke pasuri, pallate, kulla, vila apo verë të shtrenjtë. Askush nuk do t’ia dijë. Më pas vazhdova ngadalë, pak më tutje, mora një bidon ujë dhe u ndala te vendi i bashkëshortit tim.
Nuk e di sa të ndërgjegjshëm janë këta të politikës që na e nxijnë jetën, por një ditë do të prehen pranë Fatosit, ose pranë një pensionisti, arsimtari apo fermeri. Sipër do të kenë disa lopata dheu. Po të kenë fat, edhe pak gjelbërim. Në të kundërt, vetëm beton, ngjitur me një varr tjetër”, përmbyll ajo.