Aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt: Katër persona nën akuzë për krimin e rëndë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj, një ngjarje e rëndë e ndodhur në nëntor të vitit 2023.

Ky rast, fillimisht i raportuar si “grabitje me pasoja të rënda”, mori kthesë dy ditë më vonë kur Policia e Kosovës arrestoi dy të dyshuar, mes tyre edhe bashkëshortin e saj, Naim Murseli.

Murseli, me të cilin Liridona jetonte në Suedi dhe kishte dy fëmijë, është një nga katër të akuzuarit për këtë krim. Tre të tjerët janë identifikuar si Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe një individ i katërt, i cili nuk u emërua gjatë konferencës së Prokurorisë.

Prokurorja Javorka Perlinçeviq deklaroi se gjatë hetimeve dolën në pah konflikte të shumta mes çiftit, përfshirë çështje pronësore dhe marrëdhënie të trazuara martesore. Ajo shtoi se motivet e plota të vrasjes do të bëhen të ditura gjatë seancës gjyqësore kryesore.

Kryeprokurori Zejnullah Gashi e cilësoi këtë rast si një nga më të ndjeshmit, duke theksuar se ishte një “vrasje e rëndë dhe e planifikuar”. Sipas tij, kjo vepër kërkon dënimin maksimal nga drejtësia.

Liridona Ademaj humbi jetën më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” të Prishtinës. Sipas aktakuzës, Murseli dhe dy të akuzuar të tjerë janë cilësuar si “ekzekutuesit e drejtpërdrejtë”, ndërsa personi i katërt dyshohet se ka ndihmuar në mënyrë të tërthortë, duke furnizuar dorasit me armë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vazhduar disa herë masën e paraburgimit për Murselin, Kokallën dhe Plavën. Ndërkohë, i dyshuari i katërt po mbrohet në liri, pasi Gjykata Supreme ndërpreu masën e paraburgimit ndaj tij.

Familjarët e viktimës kanë kërkuar rivarrosjen e saj pranë varrezave të prindërve, duke refuzuar çdo lidhje me mbiemrin e bashkëshortit të saj. Po ashtu, aktivistët për të drejtat e grave kanë kërkuar që rasti të trajtohet me seriozitet, duke e konsideruar atë një simbol të dhunës ndaj grave në Kosovë.

Rasti ka shkaktuar zemërim të madh në opinionin publik, sidomos pasi u raportua se bashkëshorti i saj, i akuzuar për vrasjen, kishte marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të saj.

Statistikat janë alarmante: që nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra, kryesisht nga bashkëshortët e tyre. Organizatat për të drejtat e grave kanë kritikuar sistemin e drejtësisë, duke e akuzuar atë për dënime të lehta, të cilat, sipas tyre, inkurajojnë dhunën ndaj grave.

Ky rast ka marrë vëmendje të gjerë, me liderë politikë dhe organizata të shoqërisë civile që kërkojnë drejtësi të plotë dhe një qëndrim më të ashpër ndaj krimeve të tilla.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera