Aksioni kundër informalitetit rrit pagat në ndërtim, Malaj: Rivlerësimi i pronave nis në shkurt

Aksioni i Administratës Tatimore kundër nëndeklarimit të pagave në sektorin e ndërtimit ka dhënë efektet e para konkrete, duke sjellë rritje page për rreth 118 mijë punonjës. Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se ndërhyrja ka synuar formalizimin e tregut të punës dhe reflektimin e pagave reale.

Sipas shifrave të paraqitura, një pjesë e konsiderueshme e punonjësve deklarohen me paga që nuk përputhen me realitetin e tregut, ku 25% rezultojnë me paga 40–50 mijë lekë dhe 22% me paga 50–70 mijë lekë, ndërsa vetëm 7% deklarohen mbi 120 mijë lekë. Ministri theksoi se sektori i ndërtimit vuan mungesën e fuqisë punëtore dhe pagat reale janë ndjeshëm më të larta se ato të deklaruara.

Në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit të nisur në nëntor 2025, tatimet dërguan 13.418 mesazhe të personalizuara për subjektet e ndërtimit. Pas kësaj nisme, në dhjetor 2025, pagat e punonjësve u rritën mesatarisht me 9% krahasuar me shtatorin, duke reflektuar një rritje të ndjeshme të deklarimeve financiare.

Ministri paralajmëroi se subjektet që nuk kanë zbatuar pagat dysheme do të jenë objekt i kontrolleve të thelluara. Sipas listës së tatimeve, paga minimale për shumicën e punonjësve në ndërtim është 80 mijë lekë, ndërsa për sanitarët 60 mijë lekë, çka rrit automatikisht pagën mesatare të sektorit nga 68 mijë në 85 mijë lekë.

Sa i përket rivlerësimit të pronave, Malaj konfirmoi se procesi do të nisë në muajin shkurt, pas miratimit të udhëzimeve zbatuese. Tatimi për rivlerësimin do të jetë 5%, duke u llogaritur mbi diferencën mes vlerës së regjistruar në kadastër dhe çmimit të shitjes, një lehtësi fiskale krahasuar me normën aktuale prej 15%.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033