Aksioni kundër evazionit në ndërtim vijon deri në maj, Tatimet paralajmërojnë masa ndëshkuese

Aksioni kundër evazionit fiskal në sektorin e ndërtimit do të vijojë deri më 23 maj 2026 dhe do të zhvillohet në tre faza. Kështu u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, gjatë një konference për mediat.

Sipas Binajt, faza e parë e planit ka nisur dhe fokusohet në mbledhjen e të dhënave mbi çmimet reale të shitjes nga agjencitë imobiliare, si dhe në formalizimin e tyre. Të dhënat e marra nga databazat e agjencive kryesore do të përdoren për të verifikuar ndërtuesit dhe nënkontraktorët që nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve.

Faza e dytë do të përqendrohet te nënkontraktorët që nuk kanë reflektuar korrektësisht pagat, duke kryer rivlerësime mbi bazën e çmimeve reale të shitjes. Paralelisht, do të hetohet edhe burimi i financimit, ndërsa transaksionet e dyshuara do të raportohen pranë Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave për verifikime të mëtejshme.

Në fazën e tretë, kontrollet do të shtrihen te ndërtuesit, të cilët do të përzgjidhen mbi bazë risku. Ata që nuk kanë reflektuar në dy fazat e para do t’i nënshtrohen kontrolleve të thelluara, duke përdorur të dhëna nga agjencitë imobiliare, kontraktorët dhe analizat e burimeve të financimit, si për vetë ndërtuesit ashtu edhe për blerësit.

Drejtori i Tatimeve paralajmëroi se në rastet e mosreflektimit do të zbatohen masa ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor. Ai theksoi se mosdeklarimi i pagave konsiderohet një shkelje e rëndë dhe se administrata tatimore do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të luftuar evazionin, veçanërisht atë që lidhet me kontributet për pensionet.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033