Aksioni i Policisë në Shkodër lidhur me Masakrën e Dobraçit, ja detajet

Policia ka nisur një aksion blic në Shkodër që ka filluar në orën 05:30 të mëngjesit të sotëm, me qëllim zbardhjen e ngjarjes së rëndë të masakrës së Dobraçit.

Ky aksion është konfirmuar nga gazetarja Klodiana Lala, por ende nuk ka informacione zyrtare për ndalimin ose shoqërimin e personave gjatë këtij aksioni.

Sipas burimeve, aksioni ka lidhje të ngushtë me atentatin tragjik në Dobraç, ku humbën jetën disa persona. Dy të dyshuarit kryesorë për këtë ngjarje, Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshani, ndodhen aktualisht në burgun e Reçit për veprat e tjera penale. Sipas informacioneve, atyre do t’u komunikohet një masë e re arresti për lidhjen e tyre me masakrën e Dobraçit.

Sakicaj dhe Troshani, të cilët u vetëdorëzuan disa javë më parë pas një periudhe në kërkim, janë të dyshuar për vrasjen e Hamza Licit dhe mikut të tij Arlind Bushati, të cilët u qëlluan në automjetin e tyre. Gjithashtu, atentati mori jetën edhe të një çifti burrë e grua, Bashkim dhe Flutura Basha, të cilët udhëtonin me motor pranë makinës së viktimave. Ata humbën jetën nga përplasja me makinën e viktimave, e cila shkaktoi aksidentin.

Ngjarja dyshohet të jetë kryer nga një grup kriminal të strukturuar. Pas atentatit, u gjet një makinë e djegur në zonën e Grudës së Re, në të cilën u gjetën dy automatikë, të cilët dyshohet se janë përdorur në krimin e rëndë. Hetimet kanë ngritur dyshime të tjera lidhur me praninë e një personi të tretë në makinën e viktimave, i cili mund të jetë Ibrahim Lici, një individ i shumëkërkuar për vrasjen e Endri Mustafës. Megjithatë, kjo hipotezë ende nuk është vërtetuar.

Ky aksion i policisë ka shtuar edhe më shumë tensionin në Shkodër, ku banorët ndjejnë pasiguri për përfshirjen e grupeve kriminale në këtë ngjarje makabre. Autoritetet janë të angazhuara për të zbardhur sa më shpejt rrethanat e këtij atentati dhe për të identifikuar të gjithë të dyshuarit e implikuar.

Ndaj Postimin: