Aksion kundër evazionit në tregjet e bulmetit në gjithë vendin

Nesër fillon sekuestrimi i produkteve të bulmetit pa faturë tatimore, kontrollet përfshijnë edhe konsumatorët fundorë

Nga dita e nesërme do të nisë zyrtarisht një aksion i shtrirë në të gjithë vendin për sekuestrimin e produkteve të bulmetit që tregtohen pa faturë tatimore. Paralajmërimi u dha më herët nga kryeministri Edi Rama, ndërsa tashmë institucionet kanë dhënë sinjalin për veprim konkret.

Qëllimi i këtij operacioni është të godasë evazionin fiskal dhe të rrisë standardet e sigurisë ushqimore për konsumatorët. Autoritetet tatimore do të fokusohen në dy pika kryesore: në momentin e blerjes, për të parë nëse produkti është shoqëruar me faturë fiskale, si dhe në shitjen te qytetarët, për të garantuar që edhe ata të pajisen me faturë.

Ministrja Anila Denaj së bashku me Ministrin e Financave dhe Ekonomisë, së bashku me drejtues të tjerë të institucioneve përkatëse, kanë inspektuar tregjet dhe kanë theksuar se nuk do të tolerohet asnjë abuzim që rrezikon shëndetin publik. Ata e kanë bërë të qartë se do të ketë ndëshkime për çdo shkelje.

Fokusi kryesor i këtij aksioni do të jetë sektori i bulmetit dhe i mishit, ku shpesh mungojnë dokumentet zyrtare të origjinës së produktit. Çdo biznes që tregton këto produkte duhet të paraqesë faturën e blerjes, në mënyrë që të gjurmohet zinxhiri i furnizimit dhe të garantohet cilësia.

Masat e reja synojnë gjithashtu të sjellin më shumë formalitet në treg, duke detyruar shitësit dhe prodhuesit të respektojnë rregullat ligjore për çdo transaksion. Kjo pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencën e ndershme në treg.

Aksioni do të shtrihet në të gjitha qytetet dhe nuk do të përjashtojë asnjë subjekt, qoftë i madh apo i vogël. Autoritetet kanë kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të raportuar çdo rast të mungesës së faturës ose të dyshimit për produkte të pasigurta.

Ky operacion përbën një nga përpjekjet më të gjera të qeverisë për të futur më shumë disiplinë fiskale në sektorët më të ndjeshëm të tregtisë dhe për të garantuar një standard të pranueshëm në tryezën e çdo familjeje shqiptare.

Ndaj Postimin: