Aksidentohet furgoni i FNSH në Fier, plagosen tre efektivë dhe një i ri 20 vjeç

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot rreth mesditës në zonën e njohur si “Kthesa e Çakranit”, ku një furgon i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) është përplasur nga një automjet tip “Benz” dhe më pas ka dalë nga rruga, duke përfunduar në kanal.

Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të dëmtuar tre efektivë të FNSH-së, të cilët janë transportuar menjëherë drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Po ashtu është plagosur edhe drejtuesi i automjetit “Benz”, 20-vjeçari Ardonelo Yzeiraj, i cili dyshohet të ketë shkaktuar aksidentin.

Sipas policisë, i riu dyshohet se ka kryer një manovër të gabuar gjatë qarkullimit, duke goditur nga pas furgonin e FNSH-së dhe duke shkaktuar përplasjen e fortë.

“Rreth orës 11:00, në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i Cakranit’, automjeti me drejtues shtetasin A. Y. ka goditur automjetin e FNSH Fier, me drejtues punonjësin e policisë K. H. Për pasojë është dëmtuar shtetasi A. Y. dhe tre punonjës policie, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit,” njofton Policia e Shtetit.

Në vendngjarje kanë mbërritur tre autoambulanca, ndërsa forcat policore po punojnë për të rikonstruktuar dinamikën e plotë të aksidentit.

Ndaj Postimin: