Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një 42-vjeçar, i dyshuar si autor i aksidentit rrugor me pasojë vdekjen e një 40-vjeçari, i ndodhur një ditë më parë në aksin rrugor “Tepelenë–Memaliaj”.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore, pas përfundimit të veprimeve procedurale, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. J., 42 vjeç, banues në fshatin Veliqot. Ai dyshohet se ka përplasur me automjet shtetasin B. B., 40 vjeç, banues në fshatin Memaj.
Si pasojë e përplasjes, 40-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa autoritetet kanë vijuar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.