Policia e Fierit ka arrestuar drejtuesin e automjetit që përplasi një këmbësore dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së sotme, ndërsa si pasojë e aksidentit mbeti e lënduar një grua 36 vjeçe.
Sipas uniformave blu, e dëmtuara është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas hetimeve dhe verifikimeve të kryera, policia ka identifikuar dhe vënë në pranga autorin e aksidentit.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë të ditur se në pranga ka rënë shtetasi A. K., 60 vjeç, banues në Lushnjë. Ai dyshohet se, duke drejtuar automjetin, ka përplasur këmbësoren 36-vjeçare dhe është larguar nga vendngjarja pa i dhënë ndihmë.
Materialet procedurale lidhur me këtë rast i janë referuar Prokurorisë kompetente për veprime të mëtejshme ligjore.


