Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e sotme në aksin Vlorë–Orikum, konkretisht në zonën Radhimë–Orikum, pranë portit të jahteve.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet i tipit “Mercedes-Benz” ka dalë nga rruga, pasi dyshohet se po lëvizte me shpejtësi të lartë në kthesën që të çon drejt Orikumit. Mjeti ka goditur fillimisht një bordurë betoni anësore dhe më pas ka përfunduar në një kanal kullues, duke u përplasur edhe me murin anësor të portit.
Si pasojë e aksidentit janë plagosur dy persona: drejtuesja e automjetit, shtetasja me iniciale K.S., si dhe një pasagjer 16-vjeçar me iniciale D.M. Të dy të lënduarit janë transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës dhe, sipas mjekëve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.