Një aksident i rëndë është regjistruar në aksin rrugor Korçë–Bilisht, në kryqëzimin mes fshatrave Progër dhe Mançurisht, ku ka humbur jetën 79-vjeçari Haki Rusi nga Mançurishti. Drejtuesi i mjetit që shkaktoi përplasjen ka mbetur i plagosur.
Sipas burimeve, i moshuari po udhëtonte me një mjet shërbimi publik nga Bilishti drejt Korçës dhe ishte ndalur së bashku me disa bashkëfshatarë. Pasi zbriti, ai tentoi të kalonte në anën tjetër të rrugës, ku kishte lënë biçikletën, por u përplas nga një automjet tip “Benz”, duke ndërruar jetë në vend, poshtë një mjeti tjetër të parkuar.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se drejtuesi i automjetit po lëvizte me shpejtësi të lartë dhe pas përplasjes ka vazhduar ecjen për më shumë se 30 metra, duke përfunduar në kanal. Policia po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Kryqëzimet përgjatë këtij segmenti, nga Bilishti deri te Plasa, janë të njohura për numrin e lartë të aksidenteve me pasoja të rënda ndër vite.


