Një avion i vogël tip Cessna C550 u rrëzua gjatë tentativës për ulje në aeroportin rajonal të Statesville, në Karolinën e Veriut, duke shkaktuar disa viktima, konfirmuan autoritetet lokale. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:20 me orën lokale (15:20 GMT), ndërsa në bord ndodheshin gjashtë persona.
Sherifi i qarkut Iredell, Darren Campbell, deklaroi për Associated Press se ka persona të vdekur, por nuk dha detaje mbi numrin e saktë të viktimave. Sipas të dhënave të regjistrimit të avionit, mjeti fluturues i përket një kompanie private të lidhur me Greg Biffle, ish-pilot i Nascar, raportoi televizioni lokal WBTV.
Drejtori i aeroportit të Statesville, John Ferguson, e përshkroi avionin si një “jet korporativ” dhe tha se kur mbërriti në vendngjarje, mjeti ishte tashmë i përfshirë nga flakët. Avioni ishte ngritur në fluturim vetëm 14 minuta më herët, në orën 10:06, përpara se të rrëzohej në skajin lindor të pistës. Autoritetet ende nuk kanë informacion mbi shkaqet e aksidentit.
Aeroporti rajonal i Statesville do të mbetet i mbyllur deri në pastrimin e plotë të rrënojave nga pista, konfirmoi Ferguson. Gjatë komunikimit me mediat, zyrtarët nuk dhanë informacione shtesë mbi personat në bord apo numrin e viktimave.
Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) ka marrë drejtimin e hetimit dhe njoftoi se po dërgon një grup të specializuar që pritet të mbërrijë në vendngjarje të enjten në mbrëmje.
Aeroporti Rajonal i Statesville (KSVH), rreth 45 minuta në veri të qytetit Charlotte, shërben si qendër aviacioni për disa kompani të listuara në Fortune 500 dhe për ekipe të shumta të garave Nascar.


