Shqipëria po përballet me një krizë të thellë mjedisore: ndotja e ajrit po shkakton vdekje tri herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian, duke e kthyer vendin në një nga zonat më të rrezikuara të kontinentit.
Raporti ndërkombëtar “State of Global Air 2025”, publikuar nga Health Effects Institute, e rendit Shqipërinë ndër shtetet me nivelin më të lartë të vdekshmërisë për shkak të ndotjes së ajrit. Sipas këtij raporti, më shumë se 2,300 qytetarë humbin jetën çdo vit si pasojë e ekspozimit ndaj ndotësve të ajrit, ndërsa norma e vdekshmërisë është pothuajse trefishi i mesatares evropiane.
Studimi thekson se ndotja e ajrit po kthehet në një faktor dominues për sëmundjet jo të transmetueshme, si kanceri, sëmundjet e zemrës dhe demenca. Rreth 96% e vdekjeve të shkaktuara nga ndotja lidhen drejtpërdrejt me këto sëmundje, ndërsa vetëm në vitin 2023, 300 raste të reja të demencës iu atribuuan ekspozimit ndaj ajrit të ndotur.
Një në tre vdekje nga demenca, një në shtatë nga sëmundjet e zemrës dhe po aq nga kanceri i mushkërive kanë lidhje të qartë me ndotjen e ajrit. Këto të dhëna tregojnë se ajri që marrim frymë është duke u kthyer në një armik të padukshëm, por vdekjeprurës.
Në nivel global, ndotja e ajrit është përgjegjëse për rreth 7.9 milionë vdekje në vit. Grimcat e imta PM2.5, të prodhuara nga makinat, termocentralet, industria dhe djegia e mbeturinave, janë shkaktarët kryesorë. Vetëm në vitin 2023, ato kanë qenë përgjegjëse për 4.9 milionë vdekje dhe mbi 120 milionë vite të shëndetshme jete të humbura.
Në Shqipëri, ndotja është më e dukshme në qytete si Tirana, ku pluhurat PM10 dhe PM2.5 mbeten problem konstant. Ekspertët paralajmërojnë se masat e marra nga institucionet, si krijimi i korsive të biçikletave apo promovimi i automjeteve elektrike, janë ende fragmentare dhe pa ndikim real në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Prof. Asoc. Mihallaq Qirjo, lektor pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, thekson se përkeqësimi ndodh veçanërisht gjatë stinëve ekstreme, verës dhe dimrit, kur temperaturat dhe lagështia e lartë përkeqësojnë cilësinë e ajrit. Ai kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe transparencë në publikimin e të dhënave.
Raporti evidenton se ndotja e brendshme, ajo që vjen nga përdorimi i druve, qymyrit apo gazit për ngrohje dhe gatim, shkakton miliona vdekje çdo vit. Në botë, kjo formë ndotjeje mori 2.8 milionë jetë në 2023, duke goditur më fort gratë dhe fëmijët që kalojnë më shumë kohë në ambiente të mbyllura.
Një element i ri i raportit të këtij viti është lidhja mes ndotjes së ajrit dhe demencës. Vetëm në 2023, demenca e shkaktuar nga ndotja solli 625,000 vdekje në mbarë botën dhe humbjen e rreth 12 milionë viteve të shëndetshme jete. Në Shqipëri, ndikimi është veçanërisht i lartë tek gratë, të cilat shpesh janë edhe kujdestaret e personave të prekur.
Dr. Maria Neira nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se “asnjë objektiv zhvillimi nuk mund të arrihet pa ulur ndotjen e ajrit”. Ajo kërkon që qeveritë të fokusohen në reduktimin e burimeve të ndotjes, përfshirë transportin dhe ndotjen e ambienteve të brendshme.
Në të njëjtën linjë, Alison Cox nga NCD Alliance thekson se zgjidhjet ekzistojnë, por duhen zbatuar me urgjencë: përdorimi i energjive të pastra, investimet në transport publik të gjelbër dhe kontrolli i shkarkimeve industriale janë masa që sjellin përfitime të dyfishta – për klimën dhe shëndetin.
Raporti përfundon me një paralajmërim të fortë: nëse Shqipëria nuk merr masa të menjëhershme për monitorim, ndërgjegjësim dhe reduktim të ndotjes, do të përballet me një krizë të vazhdueshme shëndetësore. Sipas ekspertëve, vetëm një sistem i qëndrueshëm vëzhgimi dhe politika të bashkërenduara mund të shpëtojnë jetët që po humbin çdo ditë në heshtje.