Ahmetaj akuzon Ballukun për aferë në tunelin e Llogarasë dhe kërkon hetim të plotë nga SPAK

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj akuzon Belinda Ballukun për keqmenaxhim në tenderin e tunelit të Llogarasë, duke pretenduar një dëm financiar dyfish më të madh se ai i tërmetit të vitit 2019.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi një video në Facebook ku Arben Ahmetaj, në intervistë me gazetarin Çim Peka, akuzon zëvendëskryeministren Belinda Balluku për abuzime në tenderat publikë. Ai e cilëson menaxhimin e saj si “lubi të papërmbajtur” dhe thekson se SPAK ka nisur hetimet ndaj saj për shkelje të rënda me buxhetin e shtetit.

Ahmetaj pretendon se dëmi ekonomik që Balluku i ka shkaktuar shtetit është më i madh se kostoja e rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019. Sipas tij, vetëm për tunelin e Llogarasë janë shpenzuar shuma të krahasueshme me dy inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, si dhe me ndërtimin e 15 shkollave të reja.

Ai përmend gjithashtu projektet e Unazës së Tiranës dhe shembuj ndërkombëtarë si tuneli i San Gotardos në Zvicër, duke e akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe përjashtim të ekspertëve teknikë nga proceset e vlerësimit të kostove. “Qeveria fsheh analizat inxhinierike dhe nuk lejon gazetarët investigativë të ndjekin dokumentet reale,” deklaroi ai.

Sipas Ahmetajt, tenderi për tunelin e Llogarasë u fitua fillimisht nga një kompani shqiptare me ofertë 140 milionë euro, por më pas u anulua pas disa takimeve të zhvilluara në Ankara. Ai pretendon se tenderi iu dha një konsorciumi turk për 190 milionë euro, pa sjellë asnjë makineri në vend, ndërsa gjithë punimet u kryen nga nënkontraktori shqiptar “Gjoka”.

“Vetëm fitimi i kompanisë turke ka qenë 32 milionë euro, pa kryer asnjë punë konkrete,” tha Ahmetaj, duke kërkuar hetim nga prokuroria. Ai përmendi me emra edhe disa ish-ministra, mes tyre Pirro Vëngun, që sipas tij janë pjesë e “zinxhirit të plaçkitjes” së fondeve publike.

Në vijim, Ahmetaj sulmoi qeverinë dhe drejtësinë, duke thënë se “reforma në drejtësi është kthyer në instrument politik për të mbrojtur korrupsionin.” Ai shtoi se dosjet e tenderave publikë, sa herë hapen, “përfundojnë në duart e një njeriu të vetëm që kontrollon çdo gjë nga prapaskena.”

Këto deklarata kanë ndezur debat të ri politik në vend, ndërsa pritet që SPAK të publikojë detaje të reja mbi hetimin ndaj Ballukut dhe tenderit të shumëpërfolur të tunelit të Llogarasë.

Ndaj Postimin: