Nëntë persona kanë humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë plagosur pas një sulmi të armatosur të ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në një lokal në zonën Bekkersdal, pranë Johanesburgut, në Afrikën e Jugut.
Sipas autoriteteve policore, rreth 12 persona të armatosur, të paidentifikuar, kanë mbërritur në vendngjarje me dy automjete rreth orës 01:00 me orën lokale dhe kanë hapur zjarr ndaj klientëve të lokalit. Viktimat përfshijnë shtatë burra dhe dy gra. Policia bën të ditur se autorët kanë qëlluar në mënyrë të pakontrolluar edhe teksa personat e pranishëm përpiqeshin të largoheshin.
Zëvendëskomisioneri provincial i Policisë, gjeneralmajor Fred Kekana, ka deklaruar se sulmi ishte i paprovokuar dhe se autorët ishin të armatosur me pistoleta dhe një armë automatike tip AK-47. Sipas tij, dy nga viktimat u qëlluan jashtë lokalit gjatë përpjekjes për t’u larguar, ndërsa një tjetër ishte drejtues taksie që ndodhej pranë zonës në atë moment.
Në vendngjarje kanë nisur hetimet nga strukturat policore dhe shërbimet e mjekësisë ligjore, ndërsa një operacion kërkimi është në zhvillim për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri më tani, motivi i sulmit mbetet i paqartë.
Ngjarja vjen në një kontekst të dhunës së lartë në Afrikën e Jugut, një vend që renditet ndër shtetet me normat më të larta të vrasjeve në botë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajve të fundit mesatarisht janë regjistruar dhjetëra vrasje çdo ditë, kryesisht si pasojë e konflikteve, grabitjeve dhe dhunës kriminale.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për bashkëpunim me Policinë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.


