Një marrëveshje e dyshimtë financiare prej 100 milionë dollarësh, e firmosur nga kompania e Behgjet Pacollit, rrezikon ta kthejë Aeroportin e Vlorës në pronë të një fondi investimesh offshore të lidhur me interesa ruse e kazake.
Dokumentet e siguruara nga gazeta “Tema” zbulojnë një kontratë kredie midis kompanisë Mabco Constructions S.A., e zotëruar nga Pacolli, dhe Delphos Securities SARL – një subjekt financiar i regjistruar në Luksemburg. Marrëveshja, e datës 26 mars 2025, përfshin një shumë prej 100 milionë eurosh dhe e ka vendosur Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës si garanci financiare.
Në bazë të kontratës, Delphos kërkon një sërë kushtesh që tejkalojnë një marrëdhënie të zakonshme huaje. Përveç kolateralit mbi të ardhurat e aeroportit dhe garancive mbi llogaritë e projektit, huadhënësi kërkon dorëzimin e dokumenteve ligjore, licencave koncesionare dhe madje miratimin e qeverisë shqiptare — por vetëm pas hyrjes në fuqi të huasë. Kjo krijon një boshllëk ligjor që shmang kontrollin shtetëror dhe i jep kreditorit pushtet të plotë ekonomik mbi projektin.
Në një marrëveshje anësore, e cila shërben si aneks i kontratës kryesore, përcaktohet se kompania Vlora International Airport (VIA) do të bëhet bashkëhuamarrëse pas fillimit të projektit, pa pasur nevojë për miratimin e qeverisë shqiptare. Ky mekanizëm hap rrugën për një kalim të heshtur të kontrollit financiar dhe operacional të aeroportit tek një subjekt privat i huaj.
Termat financiare të kontratës përfshijnë një interes fillestar prej 7.625% në vit, që mund të arrijë deri në 13.625% në rast vonesash. Pagesa e principalit parashikon shlyerje të detyrueshme të 20% të borxhit çdo vit në fund të periudhës, ndërsa klauzolat e “default”-it i japin huadhënësit të drejtën të marrë menjëherë kontrollin në rast mospagese apo ndryshimi të pronësisë së Mabco-s.
Pas huadhënësit Delphos Securities SARL qëndron struktura Compartment Bernina, një kompani offshore e regjistruar në Luksemburg, e përfaqësuar nga financieri Bart Turtelboom. Ky emër lidhet më herët me marrëdhënie ekonomike me Rusinë dhe “Klubin e Parisit”, duke shtuar dyshimet mbi origjinën reale të kapitalit dhe qëllimin e financimit.
Sipas analizës së kontratës, marrëveshja e paraqitur si hua në fakt maskon një formë të transferimit të kontrollit. Kreditori përfiton pushtet të plotë mbi flukset financiare, vendimet statutore dhe operacionet e aeroportit, ndërsa aksionarët mbeten vetëm formalë. Në praktikë, kjo e kthen projektin në një strukturë të kontrolluar nga huadhënësi – pa u shënuar zyrtarisht si shitje.
Në thelb, kontrata që Pacolli ka nënshkruar përbën një “shitje të fshehur” të Aeroportit të Vlorës përmes mekanizmave juridikë të borxhit. Nëse marrëveshja mbetet në fuqi, Shqipëria rrezikon të humbasë kontrollin real mbi një nga investimet më strategjike të saj, ndërsa aeroporti mund të përfundojë në duart e një fondi investimesh fantazmë me lidhje të dyshimta ndërkombëtare.