“Na jepni mundësinë të ndryshojmë Shqipërinë”, është mesazhi i Adriatik Lapajt drejtuar biznesve në Vlorë, ku ai premton ulje taksash dhe reforma në shëndetësi.
Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, zhvilloi sot një takim me qytetarët dhe bizneset në qytetin e Vlorës. Gjatë këtij takimi, ai ka paraqitur pikat kyçe të programit të tij elektoral, duke theksuar angazhimin për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe sociale të qytetarëve.
Lapaj u shpreh se një nga prioritetet kryesore të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” do të jetë ulja e taksave për biznesin e vogël, një masë që do të ndihmojë në forcimin e sektorit privat dhe në krijimin e mundësive të reja për rritje dhe zhvillim ekonomik. “Ne do të ulim taksat për biznesin e vogël, për t’i dhënë mundësi më të mira për zhvillimin e tyre,” tha Lapaj gjatë fjalës së tij.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i programit të Lapajt është reforma në sektorin e shëndetësisë. Ai premtoi se Lëvizja “Shqipëria Bëhet” do të sjellë risitë e nevojshme për përmirësimin e kushteve shëndetësore, duke adresuar çështjet e aksesit dhe cilësisë së shërbimeve për qytetarët. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e rimëkëmbjes së sistemit shëndetësor për të luftuar shpopullimin dhe pasojat e tij, si dhe për të rritur konsumimin dhe aktivitetin ekonomik.
Lapaj e përmbylli fjalën e tij me një apel të drejtpërdrejtë për të rinjtë, duke i ftuar ata të japin mundësinë për ndryshim. “Na jepni mundësinë që të ndryshojmë Shqipërinë. Me datën 11 maj, do të fillojmë një transformim të thellë,” shtoi ai.
Po ashtu, ai nënvizoi rëndësinë e trajtimit të çështjes së pronave, duke propozuar krijimin e një task force nën drejtimin e kryeministrit, i cili do të hartojë një plan të detajuar për regjistrimin dhe konvertimin e pronave, veçanërisht në zonat bregdetare. Kjo do të sigurojë që pasuritë e paluajtshme të jenë në përputhje me ligjet dhe të përdoren për zhvillimin e qëndrueshëm.
Në fund, Lapaj premtuan se do të ndërmarrin masa të forta për të ndaluar zbatimin e ligjit për investimet strategjike, që sipas tij, ka sjellë pasiguri dhe ka favorizuar interesa të caktuara.