Adriatik Lapaj në Fier: 300 mijë vota do të çajnë sistemin

Adriatik Lapaj bën thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se 300 mijë vota do të sjellin ndryshimin e shumëpritur.

Në një takimin elektoral të organizuar në Fier, kryetari i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka bërë thirrje për një pjesëmarrje masive në zgjedhjet e ardhshme, duke e quajtur votën si mjetin kryesor për të sjellë ndryshimin e shumëpritur në Shqipëri. Ai ka theksuar se vendi është në një gjendje të jashtëzakonshme, por asgjë nuk mund ta ndalë votën e lirë.

“Na ndajnë edhe pak ditë. E keni vënë re si mundohen ta relativizojnë gjendjen e jashtëzakonshme që po ndodh në vendin tonë. Ata nuk e ndalin dot votën në kuti. 300 mijë në kuti do ta çajmë sistemin dhe do ta vendosim republikën në shina,” tha Lapaj, duke theksuar fuqinë e votës për të ndryshuar kursin e vendit.

Lapaj e konsideron angazhimin e tij politik si një mision për të dhënë fund pabarazisë dhe padrejtësive që qytetarët shqiptarë po përjetojnë, veçanërisht në një periudhë kur shumë prej tyre janë të braktisur nga shteti. Ai theksoi se kjo luftë është për të siguruar një të ardhme për fëmijët që nuk largohen nga Shqipëria, por edhe për ata që duan t’i japin vendit një drejtim të ri. “Rruga jonë është e shenjtë, sepse është rruga për fëmijët tuaj që të mos ikin jashtë dhe më të mirët të na udhëheqin,” shtoi ai.

Në fjalën e tij, Lapaj nënvizoi rëndësinë e votës si një akt që tejkalon bindjet politike, duke theksuar se ajo lidhet drejtpërdrejt me rendin, sigurinë dhe drejtësinë në vend. Ai bëri thirrje për qytetarët që të mendojnë për të ardhmen e Shqipërisë dhe jetën e përditshme kur do të vendosin për kë do të votojnë.

“Mendojeni veten, jemi një ditë pas votimeve. Secili nga ju ka çdo katër vite një kuti. Nëse keni qenë pensionist, pasi keni marrë pensionin dhe keni blerë ilaçet, keni telefonuar fëmijët tuaj jashtë, atëherë do të votoni pro apo kundër tyre?”, tha Lapaj, duke shtuar se ky është një moment vendimtar për të ardhmen e vendit.

Lapaj theksoi se nëse qytetarët bëjnë zgjedhjen e duhur, Shqipëria do të ketë një të ardhme më të mirë dhe do të rikthehet në shina të sigurta për të gjithë qytetarët e saj.

Ndaj Postimin: