Një vajzë 15-vjeçare në Sarandë tentoi vetëvrasjen duke u hedhur nga ballkoni, pasi u bullizua në mënyrë të përsëritur nga shokët e saj të klasës.
Ngjarja e rëndë tronditi familjen dhe komunitetin, ndërsa babai i adoleshentes, Arben Cërriku, rrëfeu mes dhimbjes se vajza e tij ishte viktimë e bullizimit të vazhdueshëm. Ai shpjegoi se shokët e klasës e ofendonin dhe e fyenin, duke i thënë se ishte “e shpifur”, gjë që e kishte tronditur thellë.
“Vajza erdhi nga shkolla rreth orës 13:30 dhe i tha të vëllait se shokët e kishin fyer sërish. I thashë të mos e merrte përzemër, por pak më vonë dëgjuam një zhurmë dhe e gjetëm të shtrirë poshtë ballkonit”, u shpreh ai me lot në sy.
Në momentin e ngjarjes, familja ishte mbledhur për ditëlindjen e djalit të vogël, por gëzimi u kthye në tmerr. E bija u transportua me urgjencë në spital dhe arriti të mbijetojë, megjithëse gjendja e saj shëndetësore kërkon kujdes të veçantë.
Babai tregoi se bullizimi nuk ishte i ri për vajzën. Ajo ishte përballur me të njëjtën situatë edhe në shkollën 9-vjeçare, duke u kthyer gjithnjë e më e frikësuar dhe e ndrojtur. “E shihja se kohët e fundit ishte më keq, nuk kishte as shoqe përveç një vajze në lagje”, tha ai.
Cërriku theksoi se edhe djali i vogël përjeton bullizim dhe shpesh refuzon të shkojë në shkollë. Familja, sipas tij, jeton në kushte të vështira ekonomike, me qira prej 20 vitesh, ndërsa ai është i papunë dhe punon me të ardhura të paqëndrueshme.
Mes revoltës, babai kritikoi edhe sistemin arsimor, duke theksuar se mësuesit duhet të jenë prindër të dytë për nxënësit. “Sot u hodh nga ballkoni, nesër mund të shkojë e mbytet në det. Duhet ta ruaj 24 orë në 24”, deklaroi ai.
Në fund, ai bëri apel për ndërgjegjësim dhe reagim të institucioneve për t’u dhënë fund rasteve të bullizimit që po i shtyjnë fëmijët drejt vetëdëmtimit. “Është koha të mbrojmë fëmijët tanë, para se të jetë vonë”, përfundoi ai.