Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të avancojë planin e tij me faza për të ardhmen e Rripit të Gazës, duke njoftuar administratën që do të drejtojë territorin palestinez pas shkatërrimeve të luftës.
Sipas informacionit të disponueshëm, Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar në tetor planin 20-pikësh të propozuar nga Trump, i cili parashikon krijimin e një organi palestinez teknokratik për administrimin e Gazës gjatë një periudhe kalimtare. Ky organ do të mbikëqyret nga një “Bord Paqeje” ndërkombëtar dhe nuk do të përfshijë përfaqësues të Hamasit.
Organi drejtues do të ketë 14 anëtarë dhe pritet të udhëhiqet nga Ali Shaath, ish-zëvendësministër në Autoritetin Palestinez, i cili ka pasur përgjegjësi në zhvillimin e zonave industriale. Anëtarë të tjerë do të përfshijnë figura nga sektori privat dhe organizata joqeveritare.
Autoritetet egjiptiane kanë konfirmuar se komiteti palestinez është dakordësuar, duke theksuar kundërshtimin e Kajros ndaj çdo ndarjeje të Gazës ose shkëputjeje të saj nga Bregu Perëndimor, territore që konsiderohen pjesë e një shteti të ardhshëm palestinez.
Një njoftim zyrtar për komitetin palestinez pritet së shpejti, ndërsa paralelisht pritet edhe shpallja e përbërjes së Bordit të Paqes në një forum ndërkombëtar javën e ardhshme.
Në Bregun Perëndimor, Autoriteti Palestinez ka përshëndetur iniciativën për avancimin e planit për Gazën dhe ka shprehur mbështetje për administrimin kalimtar, duke theksuar nevojën për lidhjen institucionale mes Gazës dhe Bregut Perëndimor nën një sistem të vetëm ligjor dhe institucional.
Faza e parë e planit, e cila përfshinte armëpushimin dhe marrëveshjet për lirimin e pengjeve, është përballur me vështirësi të shumta, përfshirë sulme ajrore, mosmarrëveshje për çarmatimin, çështje të pazgjidhura të pengjeve dhe vonesa në rihapjen e pikave kufitare.