Partia Demokratike denoncon se Nadir Çausholli ka shkaktuar një dëm prej 2.2 milionë euro ndaj shtetit përmes recetave false dhe abuzimeve me barnat.
Partia Demokratike ka ngritur një tjetër akuzë të fortë ndaj biznesmenit Nadir Çausholli, pronar i kompanisë “CFO Pharma”, i cili sipas opozitës, është përfshirë në një skandal të thellë financiar që ka prekur drejtpërdrejt buxhetin e shtetit dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
Sipas zëdhënëses për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, Prokuroria e Tiranës ka zhvilluar një kontroll të gjerë në ambientet e kompanisë “CFO Pharma”, duke sekuestruar inventarët dhe dokumentacionin që lidhet me rimbursimet e barnave. Hetimet dyshojnë për manipulime masive dhe abuzime me çmimet e medikamenteve.
Vangjeli deklaroi se kompania e Çaushollit ka shitur barna deri në 180 herë më shtrenjtë se çmimi i tregut, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe duke rënduar drejtpërdrejt buxhetin publik. Ajo theksoi se ky nuk është rasti i parë ku përfshihet emri i Çaushollit në skema mashtrimi.
Në vitin 2016, Prokuroria e Tiranës konstatoi një dëm ekonomik prej 2.2 milionë eurosh ndaj shtetit përmes recetave të falsifikuara dhe barnave të rimbursueshme të abuzuara. Për këtë rast, Çausholli u arrestua, por aktiviteti i tij nuk u ndërpre as pas ndërhyrjes së drejtësisë.
Pas vitit 2017, bizneset e tij u zgjeruan në mënyrë të dyshimtë. Përveç kompanisë farmaceutike, ai zotëron edhe linjën e autobusëve të “Unazës” në Tiranë, ndërsa hapi edhe pesë biznese të tjera në fusha të ndryshme, disa prej të cilave kanë lidhje me persona publikë.
Në korrik 2024, Agjencia e Prokurimit Publik përjashtoi “CFO Pharma” nga tenderat publikë për gjashtë muaj, pas zbulimit të parregullsive të rënda në dokumentacionin financiar. Sipas PD-së, në vend që të ndalonte aktivitetet abuzive, Çausholli vendosi ta “shpërblente veten” me një projekt të ri turistik.
Opozita pretendon se biznesmeni ka nisur ndërtimin e një hoteli luksoz në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në bashkëpronësi me Visin e Pojës, duke investuar miliona euro të përfituara nga tenderat publikë dhe skemat farmaceutike të dyshimta.
PD kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet ligjzbatuese për të ndaluar çdo përpjekje për pastrim parash dhe për të rikthyer në buxhet fondet e abuzuara. “Shteti nuk mund të qëndrojë spektator përballë një mashtrimi të tillë të organizuar”, deklaroi Vangjeli.
Hetimet për Nadir Çaushollin pritet të zgjerojnë edhe më tej rrethin e personave të përfshirë, përfshirë zyrtarë publikë që mund të kenë bashkëpunuar në këto skema korruptive. PD ka paralajmëruar publikimin e dokumenteve të reja në ditët në vijim.