Ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Fier dhe 6 specialistë të këtij institucioni janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Fierit, për dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën.
Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria bën me dije se këta zyrtarë kanë miratuar dhe refuzuar leje mjedisore të tipit “C” në kundërshtim me ligjin, pa kryer verifikime në terren dhe pa administruar raportet e detyrueshme të vetëmonitorimit nga subjektet.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, nuk është ndjekur vjelja e tarifave vjetore të lejeve mjedisore, duke shkaktuar një dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën mbi 3 milionë lekë për vitet 2017–2019.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq punonjësit e Agjencisë Rajonale Mjedisore Fier/Vlorë/Gjirokastër për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248–25 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr. 1051, u provua se drejtori dhe specialistët e Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër, duke vepruar dhe mosvepruar në kundërshtim me ligjin, nuk kanë përmbushur rregullisht detyrat funksionale, pavarësisht rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe auditimeve të brendshme të kryera nga Ministria e Mjedisit.
Sipas organit të akuzës, këta zyrtarë:
kanë miratuar dhe refuzuar leje mjedisore të tipit “C” në kundërshtim me ligjin, pa kryer verifikime në terren dhe pa respektuar kriteret ligjore dhe nënligjore;
disa leje mjedisore të tipit “C” janë miratuar në mungesë të dokumentacionit të detyrueshëm të kërkuar nga ligji dhe aktet nënligjore;
janë konstatuar standarde të ndryshme vendimmarrjeje, duke favorizuar disa subjekte dhe penalizuar të tjera pa bazë ligjore.
Gjithashtu, një numër i konsiderueshëm subjektesh të pajisura me leje mjedisore nuk kanë dorëzuar raportet e detyrueshme të vetëmonitorimit, ndërkohë që Drejtoria Rajonale e Mjedisit Fier nuk ka kërkuar pezullimin apo revokimin e lejeve, siç parashikon ligji.
Sa i përket dëmit ekonomik, Prokuroria sqaron se nuk është ndjekur vjelja e tarifave vjetore të lejeve mjedisore, duke shkaktuar një dëm për buxhetin e shtetit në vlerën mbi 3 milionë lekë për vitet 2017–2019. Konkretisht, për vitin 2017 nuk kanë likuiduar tarifën 424 subjekte në shumën 848 mijë lekë, për vitin 2018 nuk kanë likuiduar tarifën 421 subjekte në shumën 842 mijë lekë dhe për vitin 2019 nuk kanë likuiduar tarifën 702 subjekte në shumën 1 milion e 404 mijë lekë, duke mos realizuar të ardhura në shumën totale prej 3 milion e 94 mijë lekë.
Në përfundim, Prokuroria ngriti akuzë dhe dërgoi për gjykim të pandehurit:
A. V., ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Fier;
B. F., specialist për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
E. B., specialist për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
E. Z., specialist për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
E. B., specialiste për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
V. G., specialiste monitorimi në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
P. T., specialist finance në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin për vënien para përgjegjësisë ligjore të çdo punonjësi shtetëror apo në shërbim publik që kryen vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.