Abuzim pronash në Kamëz, PD ngre alarmin për shkelje ligjore

Partia Demokratike ka denoncuar një rast të rëndë në Kamëz, ku një qytetari i është mohuar prona ligjore, ndërsa bashkia pretendohet të ketë manipuluar dokumentet për përvetësim të tokës.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Genta Vangjeli, bëri publik rastin e qytetarit Xhemal Agolli, i cili është përballur me një veprim të pazakontë nga Bashkia Kamëz. Sipas saj, ndonëse Agolli zotëron certifikatën e pronësisë dhe dokumentacionin zyrtar kadastral, bashkia ka vendosur në mënyrë të njëanshme një tabelë në truallin e tij duke e shpallur si pronë të bashkisë.

Zëdhënësja e PD theksoi se Agolli është pronar i ligjshëm dhe posedon të gjitha dokumentet e nevojshme, përfshirë planin e rilevimit dhe hartën kadastrale. Megjithatë, në vend të një zgjidhjeje ligjore, ai është përballur me një akt që Partia Demokratike e cilëson “arbitrar dhe abuziv”, duke u përpjekur të fshehë manipulimin e të dhënave në favor të bashkisë.

Në përgjigje të ankesës së qytetarit, Bashkia Kamëz në një shkresë zyrtare të datës 24 shtator ka pohuar se prona e Agollit pozicionohet sipas hartës mbi një pasuri të regjistruar në emër të bashkisë. Në këtë bazë, institucioni lokal i ka kërkuar qytetarit që të “azhurnojë dhe saktësojë” hartën kadastrale.

Sipas bashkisë, pronësia e saj buron nga VKM nr. 775, datë 5 shtator 2013, që miratonte listën përfundimtare të pronave të kaluara në administrim të Bashkisë Kamëz. Kjo pronë, me sipërfaqe 10 000 metra katrorë, është certifikuar në vitin 2020 dhe harta përkatëse është rifreskuar në vitin 2024.

Por dokumentet që disponon Agolli tregojnë një tjetër realitet. Ai mban një shkresë zyrtare të vetë Bashkisë Kamëz, të datës 22 maj 2015, që konfirmon saktësinë e dokumenteve të tij dy vite pas miratimit të VKM-së, duke vërtetuar se prona ishte njohur nga vetë institucioni lokal.

Në përfundim, Partia Demokratike i ka bërë thirrje institucioneve shtetërore dhe organeve të drejtësisë që të ndërhyjnë menjëherë për të ndalur grabitjen e pronave publike e private përmes akteve të dyshimta dhe për të garantuar të drejtën e qytetarëve mbi pronën, si një e drejtë themelore e mbrojtur nga Kushtetuta.

Ndaj Postimin: