A PO ZGJOHET EVROPA?! Nga Dr. Adil MUSTAFA, Tiranë, 03-03-2025

Asgjë si më parë! Kështu mund të përkufizohet gjeopolitika në rrafshin global. Takimi i 28 shkurtit mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk ka shkuar sipas planit.

Tonet e ashpërsuara mes dy liderëve kanë shkaktuar tronditje dhe jehonë të madhe ndërkombëtare. Përfundimi i këtij takimi konsistoi në largimin e presidentit ukrainas, të cilit i’u dha ultimatumi i qartë nga Trump: “Ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe.”

Meqë është folur, diskutuar, komentuar dhe analizuar shumë rreth këtij takimi të bujshëm, preferoj ta shoh pak më ndryshe fillimin, vazhdimin dhe përfundimin e këtij takimi.

Krahas të tjerave, mendoj se presidenti Trump e shfrytëzoi takimin me Zelensky për t’i dërguar disa mesazhe të forta, kryesisht Evropës, natyrisht pa lënë menjanë edhe Rusinë.

Kam përshtypjen se tani nuk do të ketë rehati as qetësi as për Vladimir Putin. Ka gjasa që në ditët në vijim ai të përballet me qëndrimin e fortë të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Po ta shohim nga një aspekt tjetër, debati i paprecedentë mes Trump dhe Zelenskyt, thelbi lidhet me atë që e ka kërkuar që në fillim presidenti amerikan: pasuritë e çmuara të Ukrainës. Sa i përket asaj që pritet të ndodhë me Putinin, mendoj se do të jetë kryekëput nënshkrimi i marrëveshjes së paqes, duke i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Një konstatim i tillë vjen si rezultat i prioriteteve të Trump, i cili para, gjatë dhe pas fushatës elektorale ka deklaruar se: do të punojë fuqishëm për t’i dhënë fund luftërave!

Duke e parë nga një kënd tjetër, takimi Trump-Zelensky, një tjetër mesazh i fuqishëm i drejtohet BE-së, e cila duhet të zgjohet nga “gjumi” dhe të tregojë se është aktive në proceset e ndërlikuara.

Nuk ishte rastësi reagimi i menjëhershëm i Anglisë, Gjermanisë, Francës, etj. Ata kuptuan se tash është koha për veprim, në të kundërt, Evropa do të gjendet në një udhëkryq të madh pa rrugëdalje.

Siç dihet, të dielën e kaluar në Londër u organizua një samit në përkrahje të Ukrainës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u mirëprit nga kryeministri britanik Keir Starmer, i cili ishte në kontrast të plotë me takimin e presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe zv/presidentit JD Vance.

Takimi ishte me liderët evropianë, me pjesëmarrje të Gjermanisë, Francës, Italisë, Danimarkës, Suedisë, Çekisë, Spanjës, Turqisë, Finlandës, Rumanisë, Norvegjisë, Holandës, Polonisë, si dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s dhe presidentëve të Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian.

“Tani është koha që ne të bashkohemi për të garantuar rezultatin më të mirë për Ukrainën, për të mbrojtur sigurinë evropiane dhe për të siguruar të ardhmen tonë kolektive,” tha në samit kryeministri britanik Starmer.

Ky samit emergjent nuk do të kishte ndodhur pa mesazhet e qarta e të fuqishme të presidentit amerikan.

Këtu ishin e janë shtetet e mëdha evropiane. Lufta në Ukrainë ka vite; BE-ja, jo vetëm në këtë rast, por në asnjë moment tjetër konflikti e mosmarrëveshjeje, nuk ka qenë e organizuar, unike dhe kompakte për të marrë përsipër zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve.

Ne shqiptarët i kujtojmë shumë mirë ngjarjet në Ballkan, gjenocidin serb në Bosnjë, konfliktet dhe luftrat e përgjakshme. Po ashtu, ne jemi dëshmitarë të pastrimit etnik dhe gjenocidit në Kosovë.

Në një kohë kur vriteshin fëmijë e të moshuar, kur digjej e gjithë Kosova, kur therreshin e përdhunoheshin vajza e gra, Evropa lëshonte deklarata dhe nuk merrte vendime për t’i treguar forcën Millosheviqit.

U desh ndërhyrja e fuqishme e presidentit amerikan Bill Clinton që Millosheviqi të përfundonte në ferr.

U ktheva pas në kohë për të kuptuar dhe konstatuar se BE-ja ka problem me vetën e saj, domethënë nuk e ka vullnetin për të marrë përsipër të bëhet një organizatë e fuqishme që zgjidh problemet.

A do të zgjohet tani Evropa?!

Mendoj se presidenti amerikan është i qartë. Amerika e para! Çfarë do të thotë, tash është koha që vendet evropiane të marrin parasysh fatin e tyre në arenën ndërkombëtare. E këtë duhet ta tregojnë me vepra.

Diçka po lëviz. Evropa ka vetëm dy alternativa: të bëhet unitare, të marrë vendime të drejta e të forta, t’i zgjidhë problemet e saj vetë dhe të ndihmojë ushtarakisht, financiarisht çdo shtet evropian që përballet me konflikte e me kriza.

Në të kundërt, BE-ja funksionon thjesht në mënyrë burokratike, pa asnjë peshë specifike në arenën ndërkombëtare.

Presidenti amerikan i ka sfiduar; tash Evropa është në sfidë me vetveten. Ç’ka ofrojnë dhe ç’do të bëjnë për të ndaluar luftën dhe për të sjellë paqen në Ukrainë?! Ta shohim… Ama, siç thashë në fillim të shkrimit, asgjë nuk do të jetë si më parë!

Ndaj Postimin: