A është në rrezik siguria e Altin Dumanit? Ende pa zbatim vendimi për rritjen e masave mbrojtëse

Dy javë më parë, Komisioni i Mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë vendosi rritjen e nivelit të sigurisë për ish-kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.

Megjithatë, mësohet se deri tani Garda e Republikës nuk e ka zbatuar këtë vendim. Sipas burimeve mediatike, numri i truprojave që shoqërojnë ish-drejtuesin e SPAK mbetet i pandryshuar, pavarësisht miratimit të kërkesës për rritjen e sigurisë fizike.

Vendimi i Komisionit të Mbrojtjes erdhi pas kërkesës së kreut aktual të SPAK, Klodjan Braho, i cili kërkoi shtim të masave mbrojtëse për disa prokurorë, përfshirë edhe Dumanin, për shkak të çështjeve komplekse dhe me ndikim të lartë publik që ata kanë trajtuar ndër vite.

Sipas të njëjtave burime, Policia e Shtetit i është përgjigjur kërkesave për shoqërimin e Dumanit sa herë që është konsideruar e nevojshme.

Ndërkohë, Garda e Republikës ka refuzuar të japë detaje mbi masat konkrete të marra, duke argumentuar se informacioni për organikën dhe numrin e efektivëve të angazhuar në mbrojtjen e personaliteteve të larta është i klasifikuar si “sekret shtetëror”.

Kujtohet se në fund të muajit janar, Komisioni i Mbrojtjes pranë KLP-së vendosi rritjen e masave të sigurisë për ish-kreun e Strukturës së Posaçme dhe disa prokurorë të tjerë, në funksion të garantimit të sigurisë së tyre.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033