Në mënyrë jozyrtare, morëm informacion se kompania shtetërore Albpetrol po përgatitet për një reformë të brendshme administrative, e cila pritet të përfshijë shkurtimin e një pjese të konsiderueshme të punonjësve, deri në 40 për qind të stafit, 600 punonjes.
Sipas gazetarit Adriatik Golemi dhe BLU TV, i është dërguar një kërkesë zyrtare për informacion drejtorit të kompanisë, z. Eltar Deda, dhe ekipit të tij, me disa pyetje të qarta: sa është numri aktual i punonjësve të Albpetrolit, a është e vërtetë që po përgatitet një proces reduktimi, cilat janë kriteret që do të përdoren për përzgjedhjen e stafit, a është zhvilluar ndonjë konsultim me sindikatat dhe çfarë mase kompensimi do të ketë për punonjësit që mund të largohen.
Një ditë më vonë, më 18 shtator 2025, na erdhi një përgjigje nga Gentiana Xoxa, koordinatore për të drejtën e informimit pranë Albpetrol, e cila na njoftoi se kërkesa jonë nuk ishte dërguar në “formatin e duhur” sipas Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Për këtë arsye, na kërkoi ta riformulonim dhe ta ridërgonim sipas modelit të publikuar në faqen zyrtare të kompanisë.
Ne e ndoqëm udhëzimin, por kur u përpoqëm të hynim në faqen ku duhet te shkarkonim modelin e kerkeses ai nuk funksiononte. E njoftuam menjëherë Albpetrolin për këtë problem teknik dhe i shprehëm hapur shqetësimin po na krijohej përshtypja qe po na sorollasnin për t’iu shmangur përgjigjes.
Në të njëjtën ditë, 18 shtator 2025, ne ridërguam kërkesën, duke theksuar se forma administrative nuk mund të jetë pengesë për përmbajtjen thelbësore të një kërkese që bazohet në ligj.
Ndërkohë, më 18 shtator 2025, media në fjalë kontaktoi edhe kryetarin e Sindikatës së Naftëtarëve, z. Dritan Shahu, i cili është njëkohësisht punonjës i Albpetrol sh.a., për të marrë qëndrimin zyrtar të sindikatës lidhur me informacionet mbi një reformë të brendshme administrative që parashikon shkurtimin e rreth 40% të fuqisë punëtore (rreth 600 punonjës).
Në komunikimin zyrtar, janë kërkuar sqarime për disa çështje thelbësore, përfshirë qëndrimin e sindikatës ndaj reformës, përfshirjen e saj në vendimmarrje, kriteret e përzgjedhjes së punonjësve dhe masat që do të merren për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Megjithatë, pavarësisht kërkesës së drejtpërdrejtë dhe një kujtese të dërguar të nesërmen, më 18 shtator, ku iu drejtua personalisht me mesazhin “Keni ndonjë koment për ato që ju kemi dërguar më lart?”, z. Shahu nuk dha asnjë përgjigje dhe as nuk komentoi mbi pyetjet apo shqetësimet e ngritura.
Më 19 shtator 2025, Albpetrol na ktheu përsëri një përgjigje, duke përsëritur se kërkesa duhet të ridërgohej në përputhje me formatin ligjor dhe se çdo koment mbi qëllimin apo qëndrimin e kompanisë ishte “i pabazuar”.
Për të shmangur çdo keqkuptim, ne përgatitëm një version të ri të kërkesës të përputhur plotësisht me nenin 11 të Ligjit nr. 119/2014, të ndryshuar me ligjin nr. 78/2023, dhe ia dërguam bashkëngjitur, të nënshkruar dhe vulosur, duke i kërkuar institucionit të mos na sorollaste më me procedura formale.
Pas gjithë kësaj korrespondence, më në fund, më 26 shtator 2025, Albpetrol na dërgoi një përgjigje përfundimtare, por që në thelb nuk jepte asnjë përgjigje për pyetjet kryesore.
Në pergjigjen zyratare thuhej se kompania është një “shoqëri tregtare me kapital 100 për qind shtetëror”, se çdo vit zhvillon “analiza të brendshme për optimizimin e burimeve njerëzore”, se “vepron në përputhje me Kodin e Punës dhe Kontratën Kolektive”, dhe se aktualisht ka 1,691 punonjës të shpërndarë në të gjitha njësitë e saj.
Megjithatë, askund nuk përmendej nëse do të kishte shkurtim stafi, cilat ishin kriteret apo afatet, apo nëse sindikatat ishin përfshirë në procesin e vendimmarrjes. Pergjgija e Albpetrol ishte një përgjigje e kujdesshme, e matur, por pa asnjë substancë konkrete, një tekst që përpiqej më shumë të shpjegonte kornizën ligjore të funksionimit sesa të informonte publikun mbi një çështje me ndikim social.
Ky episod nuk është i pari në marrëdhënien e medias lokale me Albpetrolin. Në raste të tjera të ngjashme, kompania ka shmangur dhënien e informacionit të plotë. Kur një punonjës i zonës së Gorishtit preu dorën gjatë punës,gazetari Adriatik Golemi thotë se kanë kërkuar detaje mbi rrethanat e ngjarjes, por përgjigjja e vetme ishte se “çështja është nën hetim”. 
“Po ashtu, kur kërkuam shpjegime për derdhjen e ujërave teknologjike në lumin Vjosë, na u tha se mënyra se si trajtohen këto ujëra është “sekret shtetëror”.”
E gjithë kjo seri komunikimesh tregon një model sjelljeje të përsëritur nga një institucion publik që vepron me paratë e taksapaguesve, por shpesh mbështillet me fshehtësi dhe gjuhë teknike sa herë që pyetet për tema që prekin interesin publik.
Transparenca duket se shndërrohet në një procedurë burokratike dhe jo në një detyrim etik ndaj qytetarëve. Dhe kur mungon përgjigjja e qartë, lind pyetja që nuk ka nevojë për shumë fjalë:
A po përgatitet realisht Albpetrol për pushime masive nga puna, apo po fshihet pas fjalëve të përgjithshme për “optimizim strukturash”?
Në fund të ditës, heshtja është gjithmonë përgjigjja më e zhurmshme. Dhe kur një kompani publike zgjedh të heshtë, është detyrë e medias të flasë.
Gazetar: Adriatik Golemi
 
				 
															 
         
         
        

