City-Real, një Clasico e përsëritur, Pep dhe Ancelotti priten të hedhin në fushë më të mirët…

Ndeshja mes Manchester City dhe Real Madrid, edhe pse nuk është më një sfidë për të vendosur finalistin në Ligën e Kampionëve, vazhdon të mbetet një prej përballjeve më të mëdha të futbollit botëror.

Tashmë është një “Clasico” i vërtetë, një rivalitet që vazhdon të ofrojë spektakël në çdo edicion. Këtë e pranoi edhe Pep Guardiola, trajneri i City, i cili foli për ndeshjen e parë të fazës “play-off” në vigjilje të përballjes mes dy ekipeve.

“Në vitet e fundit, ndeshja City-Real është kthyer në një përballje të madhe, një ‘Clasico’ të vërtetë. E kemi kaluar, ata kanë fituar, ka pasur të dyja palët fitore. Si ndalet sulmi i Realit? Është e pamundur të kontrollosh lojtarët e tillë si Vinicius Jr, Mbappe, Rodrygo dhe Jude Bellingham për 90 ose 180 minuta”, u shpreh Guardiola. Ai theksoi se do të përpiqen të kufizojnë rreziqet dhe të imponojnë lojën e tyre, duke kërkuar një rezultat të rëndësishëm për të udhëtuar në Bernabeu me mundësi të mira për të kaluar më tej.

Guardiola gjithashtu foli për periudhën e vështirë që po kalon ekipi i tij këtë sezon, duke pranuar se nuk kanë qenë gjithmonë të qëndrueshëm, një fenomen që ka ndodhur për herë të parë gjatë drejtimit të tij. “Do të rikthehemi, kam besim”, theksoi ai, duke shpresuar se ekipi do të gjejë stabilitetin e nevojshëm në vazhdim.

Nga ana tjetër, Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madrid, e pranon që kjo është një ndeshje shumë delikate dhe e fortë, duke e cilësuar gjithashtu si një “Clasico” të ri. “Në vitet e fundit kemi luajtur shpesh në gjysmëfinale apo çerekfinale. Këtë herë ndoshta jemi pak larg, por janë dy skuadra të forta që gjithmonë kanë prodhuar ndeshje të ekuilibruara dhe të forta”, tha Ancelotti. Ai gjithashtu theksoi vështirësitë që shkakton kalendari i ngarkuar dhe shqetësimin për dëmtimet që kanë prekur ekipin, sidomos mbrojtjen, pas shtimit të Lica Vazques në listën e dëmtimeve.

Ancelotti i referohet gjithashtu sfidës që është për të luajtur kundër një ekipi të drejtuar nga Guardiola, i cili është gjithmonë në kërkim të mënyrave të reja për të sulmuar dhe mbrojtur. “Është gjithmonë vështirë të luash kundër ekipeve të Guardiola-s, ai ka gjithmonë diçka të re”, përfundoi trajneri italian, duke theksuar kompleksitetin e përballjes me Manchester City.

Ndaj Postimin: